Vetting në kohë virusi, KPK tregon sesi do të zhvillohen seancat
Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, ku qeveria e ka ende në fuqi shtetrrethimin, duket se jeta në normalitet po rikthehet dita-ditës. Pas 90% të rihapjes së aktiviteteve, edhe Drejtësia ka rinisur punën në vend. Kështu, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ka bërë me dije se së shpejti do të rinisë punën me seancat, por ende nuk është paraqitur një datë fikse se kur gjyqtarët dhe prokurorët të kthehen në ambient e Pallatit të Kongreseve ku mbahen edhe seancat. Në këtë protokoll përfshihen përfaqësuesit e ONM, stafi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe komisionerët.
Në këtë protokoll parashikohen masa strikte për të shmangur përhapjen e Covid-19. Sipas protokollit, prokurorëve dhe gjyqtarëve që do të hyjnë në seancë do t’u matet temperatrura. Çdo person që do të futet në sallat ku do të mbahen seancat duhet të paraqiten së paku 30 minuta para. Ata do të kalojnë nëpërmjet një tuneli me dizinfektues në ambientet e jashtme të sallës, ndërsa duhet të jenë të pajisur me maska. Edhe për sa u përket mediave në protokoll thuhet se në sallë do të lejohen vetë, 7 kamera dhe 13 gazetarë duke ruajtur distancimin social. KPK thekson ndër të tjera se janë vlerësuar 246 subjekte përfshirë edhe prokurorë e gjyqtarë që kanë dhënë dorëheqjen. Nga këta 102 subjekte janë shkarkuar. Në total Vetting-ut po i nënshtrohen 794 subjekte.
Më 27 prill 2020, gjykatat rifilluan veprimtarinë e tyre por në mënyrë të kufizuar. Seancat gjyqësore të çështjeve administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara në të gjitha gjykatat. Afatet për ngritjen e padive, për paraqitjen e ankimeve si dhe për kryerjen e çdo veprimi procedural në çështjet administrative, civile dhe penale të një natyre jo të ngutshme vazhdojnë të jenë të pezulluara. Prioritet kryesor i veprimtarisë së gjykatave do të vazhdojnë të jenë çështjet me natyrë ngutshme.
”Një komision i posaçëm është krijuar dhe po punon intensivisht për për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë e shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga Covid-19. Qëllimi i hartimit të planit të punës është rikthimi iveprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në mënyrë graduale, duke patur si prioritet mbrojtjen sigurinë e publikut, gjyqtarëve dhe të gjithë punonjësve të tjerë të gjykatave. Pas marrjes së vendimeve, Këshilli do vijojë publikimin e përditësimeve përkatëse. Këshilli do të punojë me çdo gjykatë sipas nevojave, si dhe do të përgatisë një plan veprimi dhe udhëzime për të vënë sërish në punë gjithnjë e më tepër elementë të shërbimeve gjyqësore në të gjithë vendin, në rrugën më të sigurt të mundshme. Shëndeti dhe siguria e qytetarëve, gjyqtarëve dhe punonjësve tanë është po aq e rëndësishme sa aksesi në drejtësi. Në përpjekje për të gjetur ekuilibrin e duhur midis të dyjave, kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin tuaj. Këshilli i Lartë Gjyqësor do ju informojë në vijimësi në lidhje me zhvillimet e reja dhe ju uron shëndet dhe siguri”.