Vetting-u i politikanëve, Gjiknuri: S’mund ta barazojmë me atë të gjyqësorit
PS nuk janë dakord me kërkesën e PD për të bashkuar Vetting-un e politikanëve me atë të gjyqësorit. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e cilësoi propozimin si të panevojshëm.
“Janë dy gjëra të ndryshme që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën, Vetting-u në politikë është një gjë e panevojshme, në kushtet kur ka instanca të tjera që e kryejnë këtë funksion për politikanët, të cilët nuk janë të përjetshëm, ndryshe nga gjyqtarët, por gjithsesi kjo nuk do të thotë që ne s’jemi të hapur t’i dëgjojmë”.
Edhe pse të hapur për konsensus, socialistët nuk janë të gatshëm të sakrifikojnë shumë për zgjatjen e organeve të vetingut, për sa kohë Kushtetuta ka parashikuar një zgjidhje. Në rast se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të sjellë përsëritjen e zgjedhjeve vendore në bashkitë pa kryetar, Gjiknuri thotë se socialistët janë të gatshëm për t’u futur në garë.