Vetting-u në Polici, Lleshaj: Duhen rezultate që do të ndikojnë në forcimin e institucioneve

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj përshëndeti pasditen e sotme nisjen e seancave dëgjimore të Vetingut në Polici, duke theksuar se pret rezultate konkrete në funksion të forcimit të Policisë së Shtetit. ”Nisi sot procesi i shumëpritur i seancave të dëgjimit për nivelin e lartë drejtues, që do t’i nënshtrohen të parët Vetting-ut. Procesi ka hyrë kështu në fazën vendimtare. Presim rezultate konkrete, të cilat do të ndikojnë në forcimin e Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera që do të vlerësohen”. Sipas tij, ky është kurorëzimi i një përpjekje të gjatë përgatitore, që kulmoi me miratimin e ligjit dhe ngritjen e strukturave të posaçme. ”Në përfundim të këtij procesi, ne presim që Policia e Shtetit, Garda e Republikës dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA), të dalin më të forta, më me integritet dhe më imune ndaj fenomeneve të korrupsionit apo paaftësisë profesionale”.

Seanca e parë dëgjimore në radhët e policisë, vjen pas shqyrtimit të 45 dosjeve të para, por ndryshe nga sa pritej nuk do të dalë i pari drejtori përgjithshëm Ardi Veliu por Oltion Shehu, shefi i sektorit në Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Puna e dy dekadave më parë si menaxher në një sallë bingoje dhe të ardhurat e fituara aty rrezikojnë të djegin karrierën e ish-shefit të inspektimit pranë Shërbimit të Çështjeve dhe Ankesave në Policinë e Shtetit Oltion Shehu, sot inspektor ankesash në Drejtorinë e Tiranës pranë SHÇBA-s. Shehu ishte i pari që hapi siparin e Vettingut në radhët e uniformave blu, ndërsa në seancë ai u përfaqësua edhe me avokat.

Kreu i sindikatës së Policëve, Sadetin Fishta tha pas kësaj seance se e rëndësishme është të verifikohen si i kanë fituar gradat dhe çfarë pastërtie figure kanë. Ai shkoi e më tej duke thënë se në polici ka njerëz për të cilët gjykata ka vendosur përjashtimin nga detyra por ata mbahen në punë. Seanca e dytë e Vetting-ut në Polici, do të jetë me numrin dy të SHÇBA, Adriatik Ago më 8 nëntor. Trupa e vlerësimit përbëhet nga Ana Kapaj, Elvira Daberdaku, Elida Liko. Pas listës së parë me 45 drejtues të Policisë së Shtetit është zbuluar edhe lista e dytë me emrat që do t’i nënshtrohen procesit të vetting-ut. Në listën e dyta janë 47 emrat e radhës që do të rivlerësohen, ku shumica e tyre janë drejtues të policive në qarqe.

SHKARKO APP