Vetting-u vijon të shtyhet, shkak ”furtuna” në Polici dhe dorëheqjet
Vetting-u në polici po përballet me vështirësi të shumta jo vetëm nga refuzimi i institucione kushtetuese për dhënien të informacioneve për drejtuesit e Policisë por edhe me dorëheqjen e stafit teknik. Burime pranë këtij institucioni pohuan se vetëm nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit ka dhënë dorëheqjen një anëtar, e ndërsa nga Sekretariati Teknik, janë dorëhequr të paktën 3 të tjerë. Të njëjtat burime sqaruan se motivacionet e dorëheqjes kanë qenë për arsye të ndryshme, si dhe ajo e numrit të lartë të dosjeve që duhet të shqyrtojnë.
Pikërisht ky problem u diskutua edhe pak javë më parë në Komisionin e Sigurisë, ku raportoi kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit, Ana Kapaj. Po ashtu, Kapaj kërkoi që stafi i saj që do të shqyrtojë dosjet e oficerëve që do të përballen me Vettingun të kenë dyfishim të burimeve njerëzore, për shkak edhe të punës voluminoze.
”Furtuna” në nivele drejtuesish në Policisë e Shtetit dhe në Gardën e Republikës, kanë vënë në vështirësi procesin e Vetting-ut. Përveç mungesës së burimeve njerëzore dhe dorëheqjeve që kanë paraqitur persononeli mbështetës, Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, po përballet edhe me refuzimet e vazhdueshme të dy isntitucionet e Kushtetuese si SHISH dhe Prokuroria e Përgjithshme. Nga verifikimet e nënkomisionit të Sigurisë ka rezultuar se dokumentacioni nuk është dorëzuar në kohë për punonjësit e policisë, siç e parashikon ligji, brenda 15 ditëve.
Deri më tani janë shqyrtuar 45 dosjet e drejtuesve më të lartë që do të përballen me procesin e Vettingut, nga Policia e Shtetit, SHÇBA dhe Garda e Republikës, e ndërsa vijon puna për 200 dosje të tjera. Pas hedhjes së shortit nga ana e Komisionit, mësohet se tre emrat e parë që do të përballen me Vettingun janë Ardjan Çipa, drejtor në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve, Gjovalin Loka, drejtor i Departamentit të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, si dhe Bujar Ahmeti, drejtor i Forcave të Posaçme. Procesi i vlerësimit kalimtar të punonjësve të Policisë ka për objekt vlerësimin e pasurisë, kontrollin e figures, si dhe vlerësimin e aftësive profesionale.