Vetting-u në Polici/Vocaj del i pastër, Çeloaliaj dorëhiqet
Tonin Vocaj, drejtori i Policisë Kriminale, kalon Vetting-un dhe konfirmohet në detyrë. Ndryshe nga Vocaj i cili u konfirmua në detyrë, për drejtorin e Laboratorit Kriminalistik Xhevahir Çeloaliaj, procesi i Vetting-ut është ndërprerë pasi ky i fundit me 13 dhjetor ka dhënë dorëheqjen duke i kërkuar Komisionit përkatës që të ndërpriste vlerësimin për figurën e tij. Ky proces pritet të kalojë në filtër të gjithë përfaqësuesit e Policisë së Shtetit duke hapur një kapitull krejtësisht të ri.
Ai rezultoi i pastër në të tre komponentët e vlerësimit të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit. Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, e pyeti Vocajn edhe për foton e publikuar në media në 2013 me Arben Frrokun, i dënuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Sipas Vocajt ai është njohur me Frrokun në vitin 2006 kur ndiqnin studimet në Universitetin “Kristal”. Fotot janë publikuar në faqen e tij në facebook muaj para se të kryhej vrasja e komisar Dritan Lamajt.
Sipas Vocajt nuk ka pasur dijeni se mes Frrokut dhe Lamajt ka pasur ndonjë konflikt. Sipas Vocajt, ai ka shkuar i pari në vendngjarje, madje ka qenë ai që ka bërë të mundur identifikimin dhe më pas arrestimin e Frrokut.