Vettingu “boshatis” Prokuroritë, KSHH bën bilancin: Ja institucionet më problematike, kryesojnë Krimet e Rënda

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka publikuar të dhënat për situatën në Prokurori, pas lëvizjeve për shkak të Vettingut. Sipas KSHH, nga 320 prokurorë, që duhet të kishin prokuroritë e dy niveleve (të shkallës së parë dhe të apelit), 58 vende rezultojnë me vakanca.

“Numri më i madh i vakancave vihet re në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka 22 prokurorë në organikë, por sot numëron 7 vende vakante”, thuhet në njoftimin e KSHH

Reagimi i KSHH:
17.8% e vendeve në Prokuroritë e Shkallës së Parë dhe të Apelit rezultojnë me vakanca të përkohshme ose të përhershme.
Referuar të dhënave të fundit të marra në rrugë zyrtare nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, rezulton se nga 320 prokurorë që duhet të kishin prokuroritë e dy niveleve (të shkallës së parë dhe të apelit), 58 vende ose 17.8% e totalit rezultojnë me vakanca.

Situata përsa i takon organikës dhe vakancave të krijuara si pasojë e procesit të rivlerësimit kalimtar dhe daljes në pensionin së prokurorëve nuk paraqitet e njëjtë në gjitha Prokuritë në rang vendi. Konkretisht:

Numri i prokurorëve pranë Prokurorive të Gjykatave të Shkallës së Parë në rang vendi është 291 prokurorë, prej të cilëve 22 prokurorë janë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda. Sot në të gjitha këto prokurori numri i vakancave është 47 dhe janë vakanca te përhershme, ose te përkohshme. Rezulton se, 14 vende vakante janë krijuar si pasojë e prokurorëve që nuk kanë kaluar vetingun në KPK ose në KPA. Numri më i madh i vakancave vihet re në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka 22 prokurorë në organikë, por sot numëron 7 vende vakante.

Mungesat më të mëdha vihen re në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit. Numri i prokurorëve në Prokuroritë pranë Gjykatave të Apelit në rang vendi është 28 prokurorë, prej të cilëve 2 janë pranë Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, por në këto prokurori sot, më shumë se 1/3 e vendeve, përkatësisht 10 rezultojnë me vakanca të përhershme ose të përkohshme. Gjysma e tyre, 5 vakanca janë krijuar si pasojë e procesit të vettingut. Më problematike situata paraqitet në Prokurorinë e Durrësit, ku organika parashikon 4 prokurorë por sot numërohen 3 vakanca, të treja për shkak të vetingut; në Gjirokastër e në Korçë duhet të ishin nga 2 prokurorë por në secilën prokurori ka nga një vend vakant, sërish si pasojë e vetingut; prokuroria e Apelit Tiranë duhet të kishte 9 prokurorë, por sot numëron 3 vende vakante.

SHKARKO APP