Vettingu/ Shkarkohet nga detyra anëtari i KLP, Arben Dollapaj
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Arben Dollapaj, i cili kaloi shkallën e parë të vettingut.
Dollapaj është anëtari i dytë i shkarkuar i KLP, pas Besnik Canit dhe sipas KPA ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë.
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ardian Hajdari kryesues, Luan Daci relator, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli sot vendimin për çështjen nr. 40/2018, datë 18.12.2018, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik, kundër vendimit nr. 63, datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Arben Dollapaj.
Në përfundim të gjykimit, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016 “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, trupi gjykues, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 63 datë 06.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror, në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në momentin e shpalljes së këtij vendimi.