Vëzhguesit: Kolegji Zgjedhor aplikon standarte të dyfishta

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  i tërheq vëmendjen Kolegjit Zgjedhor për aplikim të standarteve të dyfishta në trajtimin e çështjeve të shqyrtuara deri më sot.

Konstatimi erdhi gjatë prezantimit të raportit të dytë të ndërmjetëm të monitorimit te zgjedhjeve.

KVV tha se do ta ketë këtë institucion nën monitorim të veçantë lidhur me vendimarrjen në vazhdim.

“Kolegji Zgjedhor si një nga institucionet që KVV do ta ketë në monitorim dhe kujdes të veçantë se çfarë do të ndodhë dhe cila do të jetë vendimarrja e këtij Kolegji, përgjatë  kësaj periudhe rezulton se aplikon arsyetim jo të saktë dhe standart të dyfishtë në trajtimin e çështjeve të paraqitura”, citon KVV.

Ndërsa lidhur me dekriminalizimin, Koalicioni  i Vëzhguesve Vendorë tha se proçesi nuk e ka marrë seriozisht nga klasa politike.

Sipas përfaqësuesve të KVV, si opozita dhe mazhoranca kanë mbetur në kuadrin e retorikave politike dhe iniciativave të cunguara të ndërmara nga secila palë më vete.

“Në thelb angazhimi i partive politike për dekriminalizimin e politikës deri në këtë moment është karakterizuar nga një retorikë politike dhe iniciativa të cunguara, ndërmarrë nga opozita apo mazhoranca më vete. Fryma e dialogut dhe konsensusit për këtë çështje vazhdon të mungojë ashtu siç ka munguar, iniciativa konkrete dhe serioze që të mundësojnë këtë proçes kaq të rëndëishëm për shoqërinë shqiptare. Moszbardhja e vendimeve në kohë prej KQZ është një element kyc për efektet që pasjell mosrespektimi i këtyre detyrimeve në mënyrë të vazhdueshme dhe të pajustifikuar, duke krijuar artificialisht çoroditje të procesit”, shton KVV.

KKV ngriti shqetësimin edhe lidhur me mosfunksionimin si duhet të Komisioneve zonale të administrimit zgjedhor.

KVV: “Komisionet zonale të administrimit zgjedhor si struktura që nuk ruajnë gjurmë në punën e tyre me probematika nga më të ndryshmet, deri tek mosfunksionimi në orar zyrtar, penalizon operatorët elektoralë sepse nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtat që u jep kodi zgjedhor dhe as nuk mund të bëjnë ankimin më tutje”.

Krahas konstatimit të problematikave, nga ana e Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë nuk ka munguar dhe apeli në adresë të forcave politike për një fushatë të moderuar, jo të kushtueshme dhe me programe konkuruese.

KVV: “Partitë politike të angazhohen për të respektuar autoritetin e KQZ si dhe për të ofruar një fushatë sa më të denjë në funksion dhe interes të qytetarëve duke u fokusuar në platforma konkrete zhvillimi të cilat të përfshijnë në radhë të parë angazhimin dhe kontributin e përbashkët të forcave politike shqiptare në shërbim të interesit më të mirë të qytetarëve. Të zhvillojnë një fushatë të moderuar, jo të kushtueshme dhe me programe konkuruese. Të sigurojnë që të gjithë kandidatët që mbajnë poste, apo janë nëpunës civil dhe kandidojnë për kryetarë Bashkie apo anëtar të këshillave bashkiakë të japin dorëheqjet e tyre ose sëpaku të kërkojnë pezullim nga detyra që mbajnë”.

SHKARKO APP