VIDEO/ Balla-Zveçla: Qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës do të lëvizin lirshëm në 20 vendkalime kufitare

Nga Shqipëria drejt Kosovës dhe anasjelltas, ka nisur zbatimi i regjimit të lirë të trafikut lokal të kufirit në hapësirën prej 30 km nga të dy anët e kufirit, në 20 pikat e veçanta të kalimit kufitar.

Në Pikën e Kalimit Kufitar, Morinë e Vermicë do të ketë korsi të dedikuara për kalimin e lehtësuar të kufirit. Dy ministrat e Brendshëm Taulant Balla dhe Xhelal Sveçla ishin në PKK Morinë, për të parë nga afër procesin e lehtësuar.

Ministri Taulant Balla tha se gjithçka është në shërbim të qytetarëve. “Dy vende, të cilat bashkëpunojnë me njëra-tjetrën në dobi të qytetarëve të vet, qofshin ata qytetarë të Kukësit, Hasit apo të Tropojës, qofshin ata të Prizrenit kanë mundësinë që të lëvizin lirshëm në 20 vendkalime kufitare, edhe aty ku nuk ka rrugë se disa prej tyre janë thjesht kalime normale”, tha Balla.

Ministri Sveçla pohoi se 25 vjet nga dita e çlirimit të Kosovës po ecet me hapa të shpejtë, që mos ketë kufij mes shqiptarëve. Pika e Morinës do të jetë pikë kontrolli vetëm për shtetasit e vendeve të treta, për shtetasit e Shqipërisë, për shtetasit e Kosovës do të mund të kalojnë në çdo kohë pa ndalesë.

SHKARKO APP