Video/ Banorët vazhdojnë të qëndrojnë jashtë, pas tërmetit s’ka vlerësim për banesat
Emisioni BOOM ka bërë një vëzhgim në disa zona të Tiranës për të parë situatën pas tërmetit të 26 nëntorit, ku disa pallate dhe banesa janë shpallur të pabanuara.
Njësia Administrative 3, Varri i Bamit
Banorët e një pallati në zonën e Varrit të Bamit thonë se banesat janë të pabanuara, ndërsa shprehen se asnjë grup verifikimi nuk kanë shkuar në banesat e tyre.
“Dje një jave që kemi dalë nga shtëpia dhe nuk dimë ku të shkojmë. Unë banoj në kat të dytë dhe nuk banohet. Specialistët nuk kanë ardhur, kemi një jave që i presim, na bën hile bashkia. I kemi nisur thotë”.
“Bashkia e madhe thotë i kemi nisur, kjo minibashkia thotë nuk i kanë nisur. Unë rri tek njerëzit e gruas”.
“Unë jam pa strehë, kam 6 ditë që rri jashtë”
Administratorja e njësisë numër 3 thotë se ekspertët duhet të vijnë nga bashkia e madhe. Sipas saj janë dy grupe me nga 5 veta.
Njësia Administrative 4, rruga Myslym Keta
Edhe në njësinë administrative 4 situata është e njëjtë. Disa pallate në rrugën “Myslym Keta” kanë dalë me rrezik shembje. Banorët nuk lejohet të futen në banesat e tyre, por ata thonë se ekspertë të ndryshëm e kanë nxjerrë njëherë të banueshëm dhe njëherë të pabanueshëm.
“Janë bërë dy inspektime që janë të ndryshme. Ekipi i parë e nxori të banueshëm. Kjo për mua do të thotë se duhet një inspektim i tretë”, tha një banore.
Administratorja e njësisë 4 tha se në këtë zonë kanë shkuar 3 ekipe.
Njësia Administrative 6, Kombinat
Kamera e emisionit BOOM shkoi edhe në zonën më të prekur të Tiranës, në Kombinat. Aty njerëzit vazhdojnë të jetojnë në çadër, ndërsa thonë se nuk ka shkuar asnjë ekspert për verifikim.
“Asnjë nuk ka ardhur për verifikim, në çadër po rrimë”
“Jemi të sëmurë”
“Nuk na kanë thënë asgjë, për momentin do rrimë këtu”