VIDEO/ Blushi: PL mbështet vendosmërinë e Këlliçit për t’i shpallur luftë korrupsionit
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, dhe njëherazi kandidat për këshillin e ri bashkiak të Tiranës, akuzoi sot kryetarin e bashkisë Erion Veliaj, se jep tendera për mbështetësit e tij kryesorë.
“Rasti flagrant i kryetarit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Maringlen Qatos, krahut të djathtë të Erion Veliaj, e bën ulëritëse nevojën për pastrimin njëherë e përgjithmonë të Bashkisë së Tiranës nga abuzuesit, vendi i të cilëve duhet të ishte dhe do të jetë pas 14 Majit para drejtësisë. Fenomeni “Qato”, që nuk është një rast i izoluar, por praktikë e zakonshme korruptive në bashkinë e Tiranës të drejtuar nga Erion Veliaj, dëshmoi botërisht makutërinë e sektit të 99-çave që nuk njeh limite kur vjen çështja tek vjedhja e taksave të qytetarëve. Këta drejtues të administratës publike, nga shërbëtorë të popullit që duhet të ishin, u kthyen në biznesmenë të mëdhenj të ndërtimit dhe të betonizimit të Tiranës”, tha ai.
Po ashtu, duke u ndalur konkretisht, Blushi shtoi se Qato ka qenë drejtor i Ujësjellësit të Tiranës në vitet 2016-2018, periudhë gjatë dhe pas së cilës ai ka shfrytëzuar për të punësuar të gjithë të afërmit e tij në Bashkinë e Tiranës.