VIDEO/ Dalin pamjet e aksidentit me vdekje në tunelin Tiranë-Elbasan, dyshohet se drejtuesi ishte i përgjumur
REPORT TV publikon videon ekskluzive të momentit kur Elton Macolli dy net më parë u aksidentua për vdekje në tunelin e Elbasanit me makinën me të cilën po udhëtonte me shpejtësi 146 km/h. Aksidenti ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në orën 20:19:25, teksa Mucolli ishte duke udhëtuar nga Tirana në drejtim të qytetit të Elbasanit.
Në pamjet e publikuara nga Report Tv, duket momenti kur 37-vjeçari si pasojë e shpejtësisë së madhe, tej normave të lejuara që po lëvizte brenda tunelit të aksit Elbasan -Tiranë godet nga pas një maune të tonazhit të lartë, pra nuk ka pasur parakalim të gabuar.
Goditja e fortë ka qenë fatale për Macollin, pasi makina e tij tip ‘Seat’ e modifikuar nga benzinë në impiant gazi u shkatërrua plotësisht duke i marrë jetën. Sipas policisë dyshimet kryesore janë se Elton Macolli mund të ketë qenë i përgjumur në momentin e aksidentit, pasi nuk ka arritur që të frenojë.
Edhe ndërhyrja me shpejtësi e zjarrfikëses nuk mundi ti shpëtonte jetën 37-vjeçarit, pasi goditja ishte shumë e fortë si pasojë e shpejtësisë, 66 km/ h mbi normën e lejuar. Elton Maçolli punonte pranë bazës ajrorë të helikopterëve në Farkë, ndërsa ditën e djeshme u përcoll për në banesën e fundit.
Pak kohë më parë në hyrje të tunelit qëndronte një patrullë policie, por është hequr. Nëse do të ishte prania e tyre do të kishte një impakt tjetër te drejtuesit e makinave që do të respektonin shpejtësinë e lejuar. Ky ishte aksidenti i parë me një jetë të humbur që ndodhi brenda tunelit të Elbasanit.
/Shqiptarja.com