Video editorial i “Koha Jonë”: Komedi nisi dhe si komedi përfundoi
Video editorial i “Koha Jonë”: Komedi nisi dhe si komedi përfundoi
Sot Komisioni Hetimor Parlamentar për shkarkimin e Presidentit të Republikës dha verdiktin e mazhorancës.
Deputetja e PS-së, Klotilda Bushka lexoi raportin final të mazhoancës, ndërkohë që një deputet anonim i opozitës Halit Valteri bërtiste se duhet shkarkuar Presidenti. Ndërsa Mazhoranca pas një viti hetimi, rrëmuje dhe shantazhesh tërhiqet dhe thotë se nuk ka pse shkarkohet Presidenti. Kjo gjë dihej që kur nisi komisioni dhe lufta e Rilindjes për të mposhtur Kryetarin e Shtetit, i cili duhet pranuar se qëndroi në mënyrë stoike dhe u përballë me mafien shtetrore, derisa me 2 mars të këtij viti populli doli në Bulevard përkrah Presidentit.
Qëkur nisi ky komision, nisi si komedi e gjallë, kur personazhet që e përbënin, me disa përjashtime, ishin sharlatanë, të pa denjë për të qenë deputetë e jo më për të gjykuar Kryetarin e Shtetit. Por kështu i duhej Rilindjes dhe Kryeministrit që të mundoheshin për të denigruar apo ulur kuotat publike të Presidentit. Ndodhi e kundërta, Presidenti luftoi fort, hapur dhe me të gjitha forcat kundër kësaj klike që donte të merrte dhe zyrën e Presidencës, pasi kishte marrë gjithë pushtetet.
Loja e tyre u zbulua para disa ditëve nga Lulzim Basha, kur tha publikisht, se atij, pra Bashës, i ishte propozuar që President të bënin Edi Ramën dhe Rilindja ta bënte atë kryeministër. Pra një Pazar i ndyrë, që Lulzim Basha e nxori me guxim duke sfiduar ofertat e qeverisë.
Skenari paska qenë që të ngremë këtë komision komik, por që të shkarkonin Presidentin dhe ti merrnin karriken se e donte Edi Rama për vete që të kishte një mburojë më vonë kur të humbiste pushtetin në pranverën e vitit 2021.
Komisioni i Venecias erdhi, verifikoi dhe shkroi të bardhën mbi të zezë: Presidenti nuk ka bërë asnjë shkelje, përkundrazi ishte Rilindja dhe Qeveria me anë të Ardian Dvoranit, të cilët shkelen Kushtetutën dhe ligjin.
Ky relacion me shkrim i Komisionit të Venecias u dogji gjithë skenarët kriminalë ndaj Presidentit Meta. Nga ana tjetër Ilir Meta nuk u tërhoq asnjë ditë nga e drejta e tij kushtetuese si President, dhe luftoi, edhe kur shumëkush mendonte se e ka të humbur betejën me këtë mafie shtetrore.
Beteja ia vlejti jo për Ilir Metën, por për shtetin. Pas kësaj nuk mundet kurrkush të marr guximin të luftojë Kryetarin e Shtetit, kushdo të jetë, kur ai është në të drejtën e tij Kushtetuese.
Mafia shtetrore mori një goditje, duke u tërhequr, por nuk është mposhtur. Rilindja akoma është në pushtet dhe duhen zgjedhjet e lira dhe korrekte që populli ta ndryshojë qeverinë.
Sot mazhoranca me anë të kryetarit Ulsi Manja, u tërhoq nga ajo që nisi si komedi, e cila prapë sot u mbyll si një komedi, por që aktorët ishin rilindas.
Gjithsesi edhe komeditë duhen, pasi njerëzit qeshin edhe duke vajtuar se ku kemi rënë si shtet dhe si drejtohemi si vend!