Video-editoriali i “Koha Jonë”: Kryeministri dhe opozita kokë për kokë do përplasen!

Video-editoriali i “Koha Jonë”: Kryeministri dhe opozita kokë për kokë do përplasen!

Editorial/ Kryeministri dhe opozita kokë për kokë do përplasen!

Nuk qenka e thënë që të bëjmë njëherë zgjedhje normale dhe të qeta. Kjo për fajin e lidershipit ndër vite të cilët duan jo votime, por vjedhje të votave.

Kryeministri Rama e ka ndarë mendjen, pasi do t’i miratojë ndryshimet në Kushtetutë vetëm që të heqë koalicionin parazgjedhor të opozitës. Sondazhet e kanë nxjerrë në humbje katastrofale përballë opozitës së bashkuar. Prishja e rregullave të lojës, pasi ka filluar loja elektorale, nuk ka ndodhur asnjëherë në këto 30 vite pluralizëm. Kur Rama bëri namin për zgjedhjet vendore për karrigen e tij në Bashkinë e Tiranës, në vitin 2007, sepse po i ndërronin rregullat e lojës padrejtësisht si opozitë, atëherë pushteti i kohës u tërhoq.

Ndërsa sot kryeministri Rama nuk heq dorë, do t’i miratojë ndryshimet kushtetuese me Myslim Murrizin, Rudina Hajdarin, Halit Valterin, Kujtim Gjuzin, etj. Pra pa konsensus me opozitën reale, por me ca të blerë që na flasin gjoja për lista të hapura, dhe kur asnjë prej tyre nuk votohet më, se nuk kanë asnjë kredit politik në popull.

Opozita reale është para një fakti që po bëhet realitet, pra që Edi Rama po e realizon puçin kushtetues. Nuk ka udhë tjetër veçse përballjes me popull përballë kryeministrisë.

Me sa duket Rama i ka llogaritur hapat e tij, pasi ka filluar që prej një muaji e kusur të rrisë numrat me koronavirus që të krijojë panik në popull. Që para firmosjes së 5 qershorit kryeministri dhe shpura e tij e kanë përpiluar këtë hap antidemokratik, sepse edhe kur ka firmosur, e ka hedhur firmën se nuk e besonte se Lulzim Basha dhe LSI do ta firmosnin Marrëveshjen, e cila edhe ashtu siç është, mbetet në favor të PS-së.

Edi Rama e do që në tavolinë pushtetin dhe po bën makinacione të tilla.

Ndaj ka vetëm një zgjidhje: Opozita ta mposhtë me protesta, me popull dhe me shpirt përballjeje.

Dhe mos pyesni më ambasadorët nëse protesta merr udhë përplasje, pasi ambasadorët po heshtin sot. Nesër le të vendosë populli se si e menaxhon veten e tij përballë tiranisë.

Shembujt janë të gjallë nga SHBA, Franca, etj, se si populli doli në rrugë ndaj padrejtësisë dhe shkeljes së lirive të tyre kushtetuese.

Edi Rama, me sa duket e ka shkruar fatin e tij politik; do ikë me përplasje.

E pabesueshme se si ka ndryshuar ky njeri, me emrin Edi Rama, ndërkohë që dikur ironizonte pushtetin presidencial të Berishës në vitet 1992-1997.

Historia, për fat të keq, po përsëritet!

SHKARKO APP