Video/ Hashashi “trendy” i të rinjve, 17-vjeçari: Bashkojmë lekët me shokët për ta blerë
Përdorimi i hashashit tek të rinjtë është një fenomen shqetësues dhe po shihet çdo ditë e më shumë si trend i moshës. Këtë e konfirmon për RTV Ora News një 17 vjeçar, i cili thotë se bashkon paratë që i japin prindërit për ushqim me shokët që të blejnë lëndën narkotike. Ekspertët shprehen se instancat përkatëse duhet të marrin masa për parandalimin e këtij fenomeni.
Numri i përdoruesve të hashashit tek moshat e adoleshencës është rritur ndjeshëm dhe çfarë është më problematike është fakti se të rinjtë po e konsiderojnë si diçka normale.
Kështu tregon për RTV Ora News ky 17-vjeçar, i cili lekët që familja ja jep për të ngrënë ushqim i bashkon me shokët dhe blejnë lëndë narkotike hashash.
“Të duket vetja sikur çfarë je. Tre herë në ditë e pi. Bëhemi me shokët, plotësojmë lekët dhe e marrim e pimë gjithësecili nga gjysma.Një teke e blejmë 5 mijë lekë.”
Sipas profesor Edmond Dragotit, përdorimi i drogave te të rinjtë është një fenomen në rritje. Ata e shohin këtë si mjet për argëtim.
Dragoti: Të rinjtë janë shumë vunerabël dhe shumë të predispozuar për të njohur dukuri të tilla si përdorimi i drogave, i alkoolit, duhanit që janë të ndaluara. E kanë si një lloj trendy të moshës.”
Për ish-drejtorin e policisë, Veli Myftari, duhet të krjohen organizma për parandalimin e këtij fenomeni.
Myftari: Kjo përhapje nuk është e mirë aspak sepse ka pasoja dhe sjell pasoja. Policia ka programet e veta të punës dhe bashkë me shoqërinë dhe strukturat, përfshirë dhe SHISH, duhet të parandalojnë një fenomen të tillë.
Më të ekspozuarit ndaj përdorimit të drogave janë të rinjtë, pasi sipas ekspertëve edhe periudha e adoleshencës ka një ndikim shumë të madh.
/Ora News