VIDEO/ Kaos dhe përplasje gati fizike mes deputetëve, opozita bllokon foltoren e Kuvendit
Një propozim i kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, për të mbajtur një minutë heshtje në përkujtim të 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991, u kthye në një tjetër përplasje mes mazhorancës dhe opozitës në sallën e Kuvendit. Fjalën e mori sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka, i cili shpërtheu në akuza të forta ndaj Ballës, duke e cilësuar atë si të lidhur me krimin dhe duke përdorur një gjuhë të ashpër ndaj mazhorancës.
“Jeni bandë dhe keni vënë në krye të grupit një kryebandit”, u shpreh Noka gjatë fjalës së tij. Gjuha e përdorur solli reagimin e menjëhershëm të drejtuesit të seancës, Niko Peleshi, i cili ndërhyri për t’i tërhequr vëmendjen Nokës për fjalorin e papërshtatshëm. Ai theksoi se në Kuvend nuk mund të merret fjala me dhunë dhe kërkoi respektimin e rregullave parlamentare.
Deputetja e PD-së, Elda Hoti i mori kartën e deputetit deputetes së PS-së Bora Muzhaqi duke mos e lejuar të flasë, e cila mori nga vendi fjalën në momentin që foltorja ishte bllokuar fillimisht nga Flamur Noka e më pas nga deputetë të PD. Hoti ka debatuar dhe me Taulant Ballën, teksa dëgjohet t’i drejtohet me fjalët: Kujdes kur flet me mua? Pse kush jam unë shoqja jote?
Një tjetër incident është shënuar këtë të enjte në sallën e Kuvendit, duke detyruar ndërprerjen e menjëhershme të seancës plenare për shkak të tensioneve të forta mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Debatet verbale kaluan në përplasje më të ashpra. Në një moment kulmor të tensionit, deputeti i PD-së, Flamur Noka, ka hedhur një shishe uji në drejtim të kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ngjarja ka ndodhur pikërisht në momentin kur kamerat e transmetimit të drejtpërdrejtë ishin fikur, çka ka bërë që incidenti të mos pasqyrohet i plotë për publikun, por të konfirmohet nga burime brenda sallës. Sipas dëshmive, akti ka ardhur pas një shkëmbimi të ashpër replikash mes palëve, duke reflektuar klimën e tensionuar politike që ka shoqëruar prej kohësh punimet parlamentare.
Më pas deputetet gra të Partisë Demokratike dolën në një deklaratë, duke thënë se Taulant Balla i ka ofenduar dhe kërcënuar ndërsa kërkojnë përjashtimin e tij nga seanca plenare. ”Jo vetëm që vetëm Peleshi, po provokon në mënyrë sistematike opozitën, po ju mohon të drejta procedurale të bazuar në rregullore, sot po heq fjalën vajzave e zonjave, por dhe burrave. Ne e dënojmë aktin e rëndë nga Taulant Balla dhe kërkon që seanca të vijojë vetëm pas përjashtimit të tij nga seanca plenare dhe të marrë dënimin maksimal. Balla nuk e ka vendin në këtë parlament. Peleshi duke provokuar situatën, ka refuzuar ti japë fjalën për procedurë deputetëve të opozitës”, tha Albana Vokshi.
“Me derrat mos rri se bëhesh pis”, Peleshi i tërheq vërejtje Fatmir Mediut: Kujdes fjalorin!
Deputetet gra të PD-së: Taulant Balla na ofendoi, kërkojmë përjashtimin e tij nga seanca plenare
KOHA JONË SONDAZH
A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?
Results
Vota totale: 2919

