VIDEO/ Lojëra fati ilegale online, Policia e Tiranës godet grupin me 9 persona
Policia e Tiranës godet një tjetër grup të organizimit të lojërave të fatit në mënyrë të paligjshme në zona të ndryshme të kryeqytetit. 9 persona u arrestuan dhe një i dhjetë u shpall në kërkim. Lojërat organizoheshin kryesisht online. Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Sektorin për Operacionet Speciale dhe Kërkimin dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”, operacioni policor i koduar “Bad spin 9”.
Gjatë këtij operacioni janë identifikuar subjekte dhe shtetas që kryenin aktivitetin e paligjshëm të organizimit të lotarive të palejuara (baste sportive online) dhe të përshtatjes së ambienteve për këtë veprimtari të paligjshme, në zona të ndryshme të Tiranës.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 9 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale: A. M., O. H., F. M., H. A., F. N., E. M., B. K., G. H., dhe A. K. të gjithë banues në Tiranë”, tha policia. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi A. M., dhe po punohet për kapjen e tij. 10 aparatet celulare të këtyre shtetasve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kurse materialet i kaluan prokurorisë.