VIDEO/ Protestuesit përplasje të forta me Policinë
Ka nisur me përplasje të dhunshme “mosbindja civile” e PD, konkretisht në rrugën e Elbasanit pranë Xhamisë së Namazgjasë, ku protestuesit me deputetët e PD janë përplasur me forcat e policisë. Ka edhe të arrestuar, por edhe një protestues është shoqëruar drejt spitalit, pasi ra në tokë pas përplasjes. Janë qindra forca policie që kanë marrë masa për protestën. Momente tensioni dhe shtyrje mes qytetarëve dhe forcave të policisë ka edhe në të gjitha pikat ku protestuesit kanë bllokuar rrugët.
Te Bashkia u kacafytën protestuesit, por policia hodhi ujë me presion mbi demokratët.
Një grup deputetësh të Partisë Demokratike, ku bëjnë pjesë Xhelal Mziu, Edmond Spaho dhe Flamur Noka janë ndeshur fizikisht me efektivët e policisë pranë kryqëzimit te Rruga e Elbasanit. Madje ishte vetë Sekretari i Përgjithshëm i PD që ka tentuar t’i marrë nga dora megafonin një prej policëve që po bënte thirrje për lirimin e rrugës.
Më pas gjatë momentit kur po shtynin kordonin e policisë Flamur Noka është kacafytur me disa policë: “Ec aty, ti hapu. Hape rrugën”, është thirrja e Nokës.
Në sheshin ”Willson” ku ndodhet edhe Gazment Bardhi, policia u kërkoi protestuesve të zhbllokojnë qarkullimin. Ndërkohë një autobot me ujë me presion është në gatishmeri.