Video tek Fevziu, blof si filmat multiplikativ

Një video e transmetuar dje në “News 24” dhe “Tv Klan”, në vend që të hidhte dritë mbi skandalin e CEZ-it, i ka komplikuar dhe shtuar pikëpyetjet e shumta për këtë aferë. Në videon prej 7 minutash shfaqet dëshmitari kryesor i çështjes, Elvis Mataj dhe juristi i OSHEE-së, Rezart Ruço. Filmimi është marrë nga kamerat e sigurisë së një lokali. Në video nuk dëgjohet asnjë bisedë, por shihet vetëm se dëshmitari dhe avokati debatojnë për të pasur ose jo në tavolinë telefonat, duke iu druajtur një përgjimi të mundshëm. Në krah të dëshmitarit janë dy punonjës të forcave speciale RENEA. Videoja mbyllet me largimin nga lokali i juristit Ruço, pasi dëshmitari nuk bie dakord për të larguar nga tavolinat telefonat. Nuk dëgjohet asnjë bisedë, nuk shihet asnjë gjest kërcënues. Kaq paraqitet në videon që u trumbetua se do të zbulonte një skandal të paparë ndonjëherë dhe do t’u çirrte maskën politikanëve të përfshirë në këtë aferë. Me të drejtë, pas videos së transmetuar në emisionin “Opinion”, analisti Andrea Stefani tha se “asgjë nuk dëgjuam dhe nuk ka asgjë nga ajo që u fry në publik sikur bëhet nami në video”. E gjithë kjo video 7 minutëshe pretendohet se është një kërcënim dhe po amplifikohet si e tillë. Atë që nuk e dëgjojnë dot në audio, gazetarët dhe deputetët opozitarë e ka interpretuar si një kërcënim që avokati i OSHEE-së i bën dëshmitarit nga njerëz me pushtet. Në fakt, në video, përveç interpretimit gazetaresk nuk mund të kuptohet asgjë dhe nuk mund të flitet për kërcënim. Një tjetër avokat i OSHEE-së, Romeo Karaj, tha dje se dy personat në video kanë pasur raporte njohje dhe janë takuar disa herë më parë. Sipas tij, takimi që shihet në video është kërkuar nga vetë dëshmitari dhe jo në zyrë siç ndodhte zakonisht, por në një lokal. Në këtë pikë nis dhe intriga për një takim të sajuar që të filmohej me video dhe më pas të thuhej se është kërcënim. Askush nuk mund të thotë se nuk ishte kërcënim, por as mund ta deklarojë këtë gjë si të sigurtë. Por nëse do të ishte kërcënim, si ka mundësi që dy punonjësit e RENEA-s nuk reagojnë, nëse kanë qenë dëshmitarë të një vepre të dënueshme. Tek e fundit, ata ndaj edhe janë vendosur roje të dëshmitarit, që ta ruajnë nga kërcënimet. Pse nuk ka reagim apo lëvizje të RENEA-s që ishte e pranishme në lokal, nëse kishte sherr apo presion? Dhe si ka mundësi që Elvis Mataj mbrëmë thoshte në një tjetër video-intervistë se Rezart Ruço e kishte kërcënuar, ndërkohë që në videon 7 minuteshe dukej se ka qëndruar me pak 20 sekonda me juristin Ruço, cili herë ngrihej e herë ulej. Nuk mund të thuhen kaq shumë fjalë në 20 sekonda, aq sa Mataj pretendon se i janë thënë nga avokati? Duket se është e sajuar skenari i videos, që të bëhet e besueshme për publikun.

Elvis Mataj, personazhi në video ka qenë administratori i kompanisë private që do të mblidhte borxhet e CEZ-it, me pronar Debt International Advisory (DIA) me pronar Kastriot Ismailaj. Pas shitjes së CEZ-it tek çekët, Ismailaj lidhi disa kontrata për mbledhjen e borxheve. Kompania operoi nga viti 2009 deri në vitin 2013, kur shteti shqiptar i hoqi licencen kompanisë CEZ që ishte blerë nga çekët. Për pasojë, kompania tashmë shtetërore CEZ e prishi edhe kontratën me kompaninë e Ismailajt që do të mblidhte borxhet. Pas këtij vendimi, Ismailaj hedh në gjyq shtetin shqiptar duke i kërkuar 130 milionë euro dëmshpërblim. Por nga hetimet rezultoi se Ismailaj së bashku me drejtuesit çekë të kompanisë kishin krijuar një skemë abuzimi prej miliona eurosh gjatë kohës që mblidhnin borxhet. Historia e kontratave të falsifikuara dhe dokumenteve fiktive bëri në që vitin 2015 Ismailaj të arrestohet me akuzën e mashtrimit me shuma të mëdha. E gjitha kjo histori përfundoi në gjykatën e arbitrazhit në Vjenë. Raporti i avokatëve të shtetit shqiptar, i publikuar nga agjencia BIRN, fliste se Ismailaj u ndihmua në marrjen e kontratave nga “një ish-kryeministër i dënuar për korrupsion”. Më pas, diçka e tillë u mohua nga avokatët, por kjo frazë bëri që opozita të drejtojë gishtin nga ish-kryeministri, sot kryetar i Kuvendit, Ilir Meta. Në fakt, gjurmët të çonin tek një tjetër ish-kryeministër, Vilson Ahmeti, vëllai i të cilit ka qenë këshilltar dhe drejtues në Entin Rregullator të Energjisë (ERE), institucion i cili bënte studimet dhe jepte sugjerime për miratimin e performancës së sektorit energjetik.

Në gjithë këtë histori, së fundmi u shfaq videoja, ku dëshmitari pretendon se i është bërë presion që të mos nxjerrë më dokumente që komprometojnë politikanë. Opinioni u përgatit tre ditë me teori konspirative, sikur pas avokatit që bëri kërcënimin ishin interesat e kreut të Kuvendit, Ilir Meta. Dëshmitari mund ta pretendojë këtë gjë, por videoja në fakt nuk e dëshmon. Videoja ishte më e rrezikshme sa pa u bërë publike, sepse bëri që të qarkullojnë qindra skenarë për përfshirje të politikanëve dhe kërcënime. Publikimi i saj nuk dha asnjë provë dhe asnjë detaj bindës për çështjet. Por një indicie e dha. Jo për të zbardhur të vërtetën, por për të treguar detajet e një sulmi politik. Nga mënyra sesi u pompua në media dhe nga mënyra sesi u servirën materialet investigative, videoja të kujtonte një tjetër video të famshme, atë të Durim Bamit me Tom Doshin që rezultoi fallso nga drejtësia. Ndërsa interpretimi i fakteve dhe mënyra për të nxjerrë me çdo kusht emrin e Metës edhe aty ku nuk dëgjohet gjë, ngjan me atë që Petrit Vasili e ka quajtur “Puçi i Pularisë”.

Mataj është i akuzuar si njeriu që mblidhet borxhet e kompanisë së Ismilajt, por ky nuk është problemi i vetëm i tij. Mataj ka pasur një tjetër kompani që drejtohej nga bashkëshortja e tij e cila mblidhte po ashtu borxhet e CEZ. Ndaj kësaj kompanie ka një proces gjyqësor për abuzime në miliona lekë. Duhet të mos harrojmë se kompanitë që mblidhnin ose më saktë vidhnin borxhet e shqiptarëve ishin 7. Po besojmë për një moment variantin e dëshmitarit sikur këtë kompani e ndihmoi një ish-kryeministër, po 6 të tjerat kush i ndihmoi që të vidhnin?

E vetmja mënyrë për të zgjidhur këtë lëmsh është ajo që vetë kërkoi dje kreu i Kuvendit. Një hetim ndërkombëtar serioz. Sepse, me video qesharake dhe më dëshmi të personave që janë me pranga në duar askush nuk do marrë vesh se cila është e vërteta. Ndaj prokuroria ka nevojë të shpejtojë hetimet për të nxjerrë përgjegjësit e vërtetë, sepse video nuk tha asgjë mbrëmë.

Qamil Xhani

SHKARKO APP