VIDEO/ Tensionet në Kosovë ”ndezin” Kuvendin e Tiranës. Deputeti: Të marrim armët
Rrëmbimi i policëve të Kosovës dhe sjellja e qeverisë Rama ndaj qeverisë Kurti dhe situatës në veri, shkaktoi debate edhe në Parlamentin e Shqipërisë. Deputeti demokrat Asllan Dogjani, krijoi edhe një situatë tensioni pasi kryeparlamentarja Lindita Nikolla nuk i dha fjalën për të folur. Ai u çua me vrap dhe duke bërtitur i ra me grusht Foltores së Kuvendit.
Dogjani tha se do të ishte i gatshëm që të luftonte për Shqipërinë dhe Kosovën dhe se do të merrte armën. ”Po të jetë nevoja për të marrë armët për të luftuar për Shqipërinë dhe Kosovën, po unë jam i pari që marr armët. Ne kuksianët i marrim armët. Pasi disa të rinj janë vrarë për mbrojtjen e Kosovës”,-tha deputeti i PD-së.
Pas tij, në bllok deputetët e opozitës, të të dyja kampeve, kërkuan përgjigje nga Rama se përse e kanë hartuar draftin pa u konsultuar me qeverinë e Kosovës. Deputetja Jorida Tabaku tha se janë njohur me këtë draft vetëm në media, e të njëjtin qëndrim mbajti edhe Edmond Spaho.
Ministrja e Europës dhe e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka, tha se Kosova është prioriteti i Shqipërisë, por e bëri të qartë se ata nuk do ta mbështesin Albin Kurtin në këtë rrugë që po gabon, duke dalë kundër partnerëve ndërkombëtare. Kreu i grupit të PS-së, Taulant Balla, tha se opozita përpiqet ta përdorë Kosovën për konsum politik.