VIDEOLAJM/Godinat e të ”fortëve” do kthehen në shkolla. OFL aksion në Berat
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj nga Elbasani tha se Operacioni Forca e Ligjit tashmë ka filluar aktivitetin në të gjithë Shqipërinë. Ai ka paralajmëruar se do të ketë përshkallëzim të intensitetit të punës dhe të angazhimit të operacionit. I pyetur se çfarë do të bëhen me pasuritë e sekuestruara, Lleshaj tha se destinacioni i tyre do të jetë interesi publik.
”Ligji parashikon që pasuritë që do të konfiskohen për shkak të këtij ligji, do të kalojnë kryesisht për interes publik. Pra destinacioni i tyre do të jetë interesi publik. Agjencia përkatëse e administrimit të aseteve, e cila parashikohet të kalojë te MB, do të ketë detyrë që të administrojë në funksion publik. Kur them funksion publik, besoj e kuptoni, shkolla, Qendra Shëndetësore, Komisariat policie etj”.
Nga ana tjetër, OFL ka zbarkuar në Berat. Gazmend Mahmutaj dhe Edison Çobo, duhet të vetëdeklarojnë dhe justifikojnë pasuritë e tyre. Ata rezultojnë të dënuar në Itali për trafik të lëndëve narkotike.
Çobo njihet si një nga kriminelët famëkeqë të qytetit si dhe është identifikuar si person me rrezikshmëri të lartë kriminale. Në 2013 ka qenë akuzuar për grabitjen e një biznesmeni, ndërsa në 2018 është arrestuar me një urdhër gjykate të 2017 për trafik droge në bashkëpunim dhe aktualisht ndodhet në burgun 313 ku vijon procesin gjyqësor.
Mahmutaj rezulton të jetë një emër i njohur për policinë shqiptare dhe i dënuar në Itali për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Ai është ndaluar në Itali, ku në dokumente kishte emrin Raqi Gjoni. Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.