VIDEOLAJM/Janari i përgjakur, 7 ekzekutime dhe vrasje makabër
Nga: Redjon Shtylla
Një peng që u vra për pazare të kokainës të vëllait, katër ekzekutime mafioze në mes të shesheve, dy gra të masakruara, e kthyen janarin më muajin më të përgjakur përgjatë viteve të fundit. Vrasjet e 31 ditëve të fundit kanë shokuar mbarë opinionin publik. Kjo ka shkaktuar edhe pasiguri tek qytetarët, të cilët ia lënë përgjegjësinë Policisë së Shtetit. Ish-drejtues të policisë, kritikojnë strukturat politike që janë të fokusuara më shumë të dalin në media sesa të punojnë. “Duke e angazhuar policinë e shtetit me elementë sipërfaqësore, me elemente pune sesa më shumë që të ketë bujë mediatike dhe propagandistike, nuk po kërkohet nga struktura politike, nga ministri përkatës që të përcaktohen objektivet e sakta për parandalimin e krimeve”. Dy prej ngjarjeve, ajo e Rrëshenit dhe Tropojës janë vrasje ku autorët kanë vepruar me shpejtësi dhe profesionalizëm, duke ngritur dyshime se mund të jenë përdorur dhe vrasës me pagesë. Asnjë prej këtyre vrasjeve nuk është zbardhur plotësisht nga policia. Siguria rrugore vë në plan të dytë vrasjet. Të paktën kështu u shpreh ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë një diskutimi për ndryshimet e kodit rrugor.
Rrëmbimi, vrasja dhe fshehja e trupit
Data 17 janar, do të shënonte krimin më të rëndë në vend. Jan Prenga u rrëmbyeu në mes të ditës në Kamëz, u vra nga bandat dhe trupi i tij u zhduk. Pengmarrja e ardhur për pazaret e kokainës të Astrit Prengës (vëllai i viktimës), thuhet se është porositur nga një shqiptar nga Vlora që vuan dënimin në një burg të Ekuadorit. Përflitet për një sasi prej 283 kg kokainë dhe që deri më tani, në pranga për këtë ngjarje kriminale, janë vetëm 5 persona, të cilët Gjykata i ka lënë në burg dhe dosja pritet të kalojë tek SPAK. Prova që bindi gjykatën për të lënë në burg 5 të arrestuarit, janë disa foto bardh e zi të printuara. Ato janë sekuenca të filmuara nga një kamera e sigurisë. Policia e Shtetit thotë se në resort ”Golden”, ku ishte planifikuar që Prenga të mbahej peng, e sollën pajetë. Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një letër-porosi urgjente autoriteteve në Britaninë e Madhe, ku kërkon ndalimin e Astrit Prengën, i cili ishte korrier në Angli i bandave të trafikut të kokainës. Organi i akuzës në Shqipëri kërkon që përmes dëshmisë të Astrit të zbërthejë të gjitha grupet kriminale por mbi të gjitha ngjarjen në fjalë. Disa ditë më parë, Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar një operacion në Shkodër, ku kanë shoqëruar të paktën dy persona, të cilët dyshohet se kanë të bëjnë me rrëmbimin, vrasjen dhe fshehjen e trupit të pengut, Jani Prenga. Njëri prej të shoqëruarëve është pjestar i famljes Doçi, që dyshohet se ka porositur pengmarrjen. Më kryesori është G.Doci, ku në disa disa përgjime telefonike, edhe nga autoritet britanike është zbuluar komunikimi i tij me të vëllanë e viktimës, Astritin. Ky i fundit e pyet “ku e kam vëllanë”, dhe ai i thotë ” e di shumë mirë ku e ke vëllanë, se më ke prekur mallin”.
Dy gra të vrara
Vrasja e parë u regjistrua në fshatin Gjerbës të Mallakastrës më datën 5 janar, ku një 16-vjeçar, bashku me dy shokë të tij, shkuan për të vjedhur në shtëpinë e 51-vjeçares Drita Saliaj (nusja e xhaxhait të tij), por pas rezistencës së saj, e godasin e përdhunojnë dhe trupin e hedhin në rezervuarin e fshatit. Ervis Zotaj 26-vjeç, Luis Saliaj 16-vjeç dhe Sindi Shehaj 16-vjeç kanë kryer krimin, pasi kanë shkuar në banesën e Drita Saliajt për të blerë hashash. Në dëshmitë e mbledhura nga prokuroria, thuhet se pasi janë prishur për pazaret e drogës, 26-vjeçari ka përdhunuan 51-vjeçaren, e më pas të tre bashkë e kanë mbytur me shall dhe e kanë transportuar me makinë në rezervuar. Bashkëshorti i të ndjerës, e cilëson këtë si ngjarjen më të rëndë në rajon. “Jemi shokuar shumë. Jemi tronditur shumë rëndë, sepse është e para tragjedi në rajon, jo vetëm në vendin tonë. Ka pasur ngjarje që u vranë e u lanë në shtëpi, por kjo është masakruar, është torturuar dhe unë nuk kam marrë asnjë të dhënë në polici. Ata e kanë lidhur dhe më pas e kanë hedhur të gjallë. Ajo është lutur vetëm që të mos e vrisnin”.
Data 9 janar, regjistroi vrasjen makabër në Paskuqan, ku një tjetër grua u vra mizorisht. Erdet Capoku, pasi kishte përndjekur dhe kërcënuar për disa muaj me radhë kunatën e tij, Enkeleda Çapokun, e vret atë në sy të nënës dhe vajzës të sajë. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, ai u arrestua nga policia. Vajza tha se xhaxhai e goditi me sopatë dhe me një thikë i preu damarët dhe fytyrën. Në gjykatë ai u shpreh se kishte investuar te kunata e tij dhe te vajza e saj por tu shkolluar. “Ata nuk më mbështetën dhe më dëbuan. Nuk mbaj mend mirë se çfarë kam bërë por jam penduar dhe kam qenë në gjendje të dehur”. Bashkëshorti i së ndjerës ndodhet në burg, për punë droge. Pas ekzekutimit barbar të Enkeledës, përfaqësues të shoqërisë civile organizuan një tubim simbolik përpara drejtorisë së Policisë së Tiranës.
Vrasjet dhe ekzekutimet mafioze
Pas 18 vitesh, në qytetin e Bajram Currit shënohet një vrasje. Një atentat mafioz la të vdekur Guxim Gjyriqin, i cili sapo doli nga një restorant në afërsi të karburantit të tij, u ekzekutua nga autorë ende të paidentifikuar. Gjyqiri dyshohet se u vra për hakmarrje për shkak të lidhjeve të tij me Fatmir Haklajn. Janë tre video të sekuestruara nga prokuroria e Tropojës, të cilat kanë fiksuar qartë momentin kur 5 persona në dy automjete, janë afruar dhe kanë qëlluar rreth 13 plumba mbi biznesmenin. Në këtë fazë të hetimit, prokuroria e Tropojës është ende larg për të identifikuar dhe lokalizuar autorët e këtij krimi. Guxim Gjyriçi administronte një pikë karburanti në qytet. Por herët në kohë, Gjyriçi dhe vëllai i tij, kanë mbajtur kontakte të ngushta me vëllezërit Haklaj, kjo për shkak edhe të miqësisë farefisnore që ata kanë pasur ndër breza.
Më datë 7 janar, në qendër të qytetit të Rrëshenit, ekzekutohet me snajper, Kastriot Reçi, një ish-pronar televizioni. Ekzekutori, një qitës i përgatitur, kishte qëndruar në katin e fundit të një pallati, I maskuar si një femër, ai kreu vrasjen me vetëm një plumb. Dyshimet lidhen me një seri vrasjesh për hakmarrje. Ndonëse e gjithë ekzekutimi i kësaj vrasjeje ishte i mirëmenduar deri në detaje, autori ka lënë gjurmë që mund të ndihmojnë grupin hetimor në zbardhjen e këtij atentati. Në pallat është gjetur snajper, e ndërsa disa km më tutje, në dalje të qytetit, në afërsi të Tregut është gjetur parukja që ai e kishte përdorur si kamuflim. Parukja është dërguar në laborator për të parë mbetjet biologjike. E gjithë skena është regjistruar nga dy kamera sigurie.
Vrasja e Vilson Tafçiut me 3 plumba në zemër në zonën e Astrit në Tiranë, erdhi nga një debat jo i momentit. Autori Noel Dishi pas vetëdorëzimit në polici, shprehu pendesë për aktin e rëndë, ku edhe ka thënë se e qëlloi pasi 28-vjeçari e shau nga nëna. Dishi është shprehur se njohja mes tyre ishte e hershme por zënka kishte nisur që në Francë. Ai tha se e kishin lënë për t’u sqaruar por situata agravoi në debate dhe përfundoi me vrasje. “Debatuam me Vilsonin dhe ai më tha se do ta bëj me keq se sa ta kanë bërë. Do të mbaj në bagazh të makinës dhe do ta thyej kokën. Më pas edhe më shau. Më ofendoi nga familja. Tentova të largohesha por ai vijonte me të njëjtën mënyrë. Atëherë e kam qëlluar”. Noel Dishi mor peng dy vite e gjysmë më parë në Durrës. Ai u mbajt në një bagazh makine nga tre persona dhe pas disa orësh u la i lirë në Vorë. Rrëmbimi u hetua nga Krimet e Rënda por me shkrirjen e tyre dosja i kaloi prokurorisë së Durrësit. Dishi, sipas burimeve u mor peng për të kërcënuar Vilson Tafçiun, pasi ky i fundit nuk i kishte dorëzuar një sasi droge tek personat përgjegjës.
Në ditët e fundit të janarit, Korça u trondit nga vrasja në mes të qytetit. Shitësi i bananeve Dashnor Osmani, u vra nga Zamir Topi me sopatë të blerë me para borxh. Autori ka rrëfyer se kishte disa vite që kishte hyrë në konflikte verbale me viktimën, pasi ky i fundit e akuzonte herë pas here se i kishte zënë dhe prishur varrin e nënës, në varrezat e fshatit Poçestë të Libonikut. Debatet e ndërsjellata kanë vazhduar gjatë derisa në 28 janar 2020 Zamir Topi, ka qëlluar me një sëpatë në kokë Osmanin, duke i çarë kafkën dhe e lënë të vdekur në vend. Autori i krimit nuk arrinte të pranonte faktin që një person i ardhur nga Skrapari, ti zinte pjesën e familjarëve të tij, në varrezat e fshatit Poçestë të Libonikut. Kjo pasi para disa vitesh Osmani, kishte varrosur babain e tij afër varrit të nënës së autorit të dyshuar të krimit. Nisur nga kjo situatë, Topi i ka kërkuar Osmanit që ta heqë varrin e babai nga ajo sipërfaqe, duke pretenduar se ajo pjesë e varrezave është e fisit të tij. Osmani i ardhur nga Skrapari me banim në Poçestë, i ka pohuar se do të hiqte eshtrat e babait të tij nga ajo pjesë toke por pasi të mbushej një vit kohë nga dita e vdekjes.