VIDEOLAJM/Jo azil në Francë. ”Le Monde”: Dëbimi kolektiv i familjeve shqiptare krijon trazira
Fenomeni i azilit ka prekur thellë Shqipërinë. Vendi po përjeton tronditjen e saj të tretë demografike që nga rënia e komunizmit. Shqiptarët kanë formuar kombësinë e parë si azilkërkues në Francë. Të mbërritur ligjërisht, ata kërkojnë azil politik që sipas autoriteteve franceze, nuk kanë shanse për ta fituar. Mungesa e ndonjë mundësie ligjore të migrimit ekonomik, i detyron ata të përdorin këtë rrugë, e cila peshon në mënyrë disproporcionale në procedurat për dhënien e të drejtës së azilit.
Media prestigjoze franceze “Le Monde”, tregon për historitë e shqiptarëve dhe thotë se dëbimi kolektiv i familjeve, krijon trazira. Këtë herë media ka treguar për një familje e cila qëndronte në Francë prej më shumë se 3 vite dhe ishin integruar.
“Ata morën vajzën time 4-vjeçare nga unë, kam frikë për të. Në telefon, zëri i Florinës është i shqetësuar. Kanë kaluar më shumë se një javë që kur kjo nënë 30-vjeçare u nda nga vajza dhe burri i saj, të dy u internuan në Shqipëri me tetë familje të tjera”,-shkruan ”Le Monde”. Në total, 31 persona u nisën me avion nga Toulouse për në Tiranë më 28 janar, në sajë të një avioni nga Agjensia Europiane e kufirit Frontex. Florina mbërriti në Francë para 3 vitesh, bashkë me vajzën dhe burrin e saj. Ata nuk arritën të përfitonin azil. 83% e azilkërkuesve janë shqiptarë, pra janë aplikantët e dytë pas Afganistanit. “Ishim të integruar mirë”,-thotë Florina. Vajza nisi shkollën dhe shkonte në kurse të kërcimit dhe burri punonte në një thertore.
“Më 27 janar, kur Florina dhe burri i saj kishin shkuar në brigadën e xhandarmërisë në Langogne (Lozère), ata u informuan që nuk kanë përfituar azil dhe ju tha se do të ktheheshin në Shqipëri. Florina u shqetësua. Katër muajshe shtatzënë, ajo ishte shtruar në spital kur “xhandarmëria shoqëroi burrin e saj bashkë me vajzën e tyre të vogël, Amelia”, thotë Patricia Grime, e shoqatës Arsimi pa kufij. Drejtoresha e shkollës, Fabienne Deniset, kujton se kishte parë babanë të mbërrinte në shkollë rreth orës 4:30 pasdite. “Tre xhandarë ishin në furgon ne nuk mund t’i humbisnim”, shpjegon ajo. “Unë shkova t’i pyesja se çfarë po ndodhte. Ata më thanë që ata do të niseshin për në Shqipëri të nesërmen”.
Në raportin e fundit nga zyra Europiane e Azilkërkuesve, u zbulua se shqiptarët janë një ndër popujt që kanë kërkuar më shumë azil përgjatë vitit që lamë pas dhe numërohen 18, 881 persona. Presidenti i Francës, Emanuel Macron përdori këto shifra për të kundërshtuar hapjen e negociatave për Shqipërinë. Një seri strategjish thotë qeveria se ka për punësimin veçanërisht të të rinjve në vend e po aq me politikat e punësimit për të rikthyerit që iu është refuzuar azili.
Përshtati: Redjon Shtylla/Koha Jonë