VIDEOLAJM/Letra dhe telefonata kërcënuese nga burgu, “i frikshmi” do izolohet për 3 muaj

YouTube player

Prej vitesh vuan dënimin në burgun e Drenovës në Korçë por nga aty Neim Behari kërcënonte zyrtarë e jo vetëm përmes letrave dhe telefonatave të vazhdueshme. Tashmë ai do të izolohet nën regjimin e mbikëqyrjes së veçantë 41-bis për tre muaj. Vendimi është marrë nga Gjykata e Korçës, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë. Ai është me probleme të theksuara mendore dhe nuk është hera e parë që bën kërcënime të tilla.

“Veprime të tilla janë marrë në mënyrë të paramenduar përbën një sjellë stimultante, ku për shkak të adresimit të kërkesave të padrejta për transferim pavarësisht se e njeh dhe e kupton më së miri aspektin ligjor ai legjitimon në këtë mënyrë kryerjen e veprimeve në funksion të alibisë për të fyer, kërcënuar dhe aktivizuar institucionet shtetërore për njoftime të rremë bombash apo sendeve të ndaluara në burgje, ku disa prej tyre përbëjnë mirëfill vepra penale. Një dëshirë dhe një vullnet i tillë konfirmohet edhe nga fakti se me letrat me përmbajtje kërcënuese shprehet qartë që do t’i ndërmarrë këto veprime duke kërcënuar në mënyrë serioze drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili dhe familjarët e tij. Naim Behari ka vënë në rrezik dhe ka prishur rregullat në institucion”.

Neim Behari me anë të një letre dërguar me postë më 16 shtator 2019, ka kërcënuar me jetë dhe familjarët e Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismailin. Gjithashtu, disa ditë më vonë, më konkretisht më 30 shtator ai ka marrë në telefon në një nga zyrat e ministrisë së Drejtësisë, duke përdorur edhe fjalë fyese. Ai gjithashtu ka telefonuar edhe gjyqtarin Markelian Kuqo, duke i thënë se i ka vendosur eksploziv në makinë, por e gjitha rezultoi një alarm fals. Me anë të letrave, i burgosuri ka kërcënuar edhe ish-truprojën e Sali Berishës, Izet Haxhinë duke i thënë se do e vriste pasi ka shpikur dhe ka fyer, Marsida Xhaferllain, të cilën thotë se e ka mikeshë.

Neim Behari është arrestuar 21 mars të vitit 2005 për një vrasje horror të taksistit, ndërsa vendimi i formës së prerë është dhënë në 21 janar të vitit 2010, duke e dënuar 25-vjeçarin me 24 vite burg. Autori ka kërkuar ulje të dënimit me pretendimin se vuan nga probleme mendore por kjo nuk është vlerësuar nga Gjykata. Ngjarja ka ndodhur më 20 mars të vitit 2005, në fshatin Marinëz të Fierit, ku u gjet i vdekur taksisti Themi Qose, banues në qytetin e Lushnjës. I ndjeri ishte pronar i mjetit tip “Benz”. Behari kishte shkuar në qytetin e Lushnjës dhe pranë stacionit të trenit ka pajtuar si taksist Themi Qosen me qellim mbërritjen deri në fshatin Marinëz.

Sistemi “41 Bis”, sipas modelit italian parashikon që në izolim të futen të gjithë ata persona për të cilët dyshohet se kanë mbajtur lidhje me elementë jashtë burgut duke vijuar aktivitetin kriminal. Ky regjim përfshin të dënuarit për rreth 22 vepra të rënda penale, mes të cilave edhe aktet terroriste, apo vepra të tjera të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Të izoluarve do t’u lejohet vetëm një takim në muaj me familjarët, në një mjedis të mbikëqyrur. Atyre personave që nuk do të kenë takime me familjarët, do t’u lejohet një bisedë telefonike në muaj për 10 minuta, e cila do të jetë e regjistruar. Edhe qëndrimi në ajrim këtyre personave do tu reduktohet deri në 2 orë, ku lëvizjet e tyre do të monitorohen me kamera sigurie.

SHKARKO APP