VIDEOLAJM/Ndryshon Kodi Rrugor, masa të rrepta për shoferët
Shoferët duhet të lexojnë mirë ndryshimet që ka pësuar Kodi Rrugor. Ato konsistojnë në rritjen e gjobave për drejtuesit që përdorin alkolin, bëjnë sjellje të gabuara në rrugë apo përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit. Një ndër risitë është se për shkelje të rënda të normave të sjelljes së përsëritura gjatë drejtimit të mjetit, Policia e Shtetit detyron drejtuesin e mjetit të kryejë vizitë mjekësore (test psikologjik), për të dëshmuar aftësitë e tij, për lejimin e mbajtjes dhe përdorimit të lejes së drejtimit.
Gjithashtu një pikat që shtohet është “Drejtim i mjetit nën ndikimin e alkolit”. Kur drejtuesi i mjetit konstatohet me pije alkolike nga ora 19:00 deri në 06:00, gjoba është 30% më e lartë. Do të rritet edhe gjoba për drejtimin e mjetit nën efektin e alkolit, nga 5 mijë shkon në 15 mijë lekë. E njëjta gjë ndodh edhe me përdorimin e celularit në timon. Gjoba shkon nga 5 deri në 15 mijë lekë dhe në rast se gjoba përsëritet tre herë, drejtuesit i zbriten 10 pikë nga patenta.
Një nga fenomenet që ndodh shpesh në rrugët tona është sjellja agresive. Për këtë, ndryshimet në Kodin Rrugor parashikojnë se kur drejtuesi i mjetit, në rrugë interurbane kryesore dhe dytësore, ushtron presion apo agreson me sistemet e ndriçimit dhe nuk ruan distancën e sigurisë, duke vënë në rrezik serioz përdoruesit e rrugës para tij, ndëshkohet me gjobë 10-20 mijë lekë dhe heqje 5 pikë të lejes së drejtimit.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj gjatë Konferencës të Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020”, tha se në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente dhe për të aksidentet janë vrasësi kryesor pas sëmundjeve të rënda. Për ministrin ka ardhur koha që në Shqipëri të zbatohet një plan masash si në vendet europiane për të shmangur aksidentet.