VIDEOLAJM/”Shkodra, njollë e zezë e kontrabandës”, Veliu: Luftë fajdeve dhe krimit

“Shkodra është një njollë e zezë e kontrabandës”, kështu u shpreh Kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu në mbledhjen e së shtunës me drejtuesit e policisë së këtij qarku. I shoqëruar nga Drejtori për Krimin e Organizuar, Tonin Vocaj dhe Drejtori i Rendit, Gjovalin Loka, në Policinë e Shkodrës u bë analiza për vitin 2019. Gjatë vitit 2018 u bë e ditur se ka pasur 26 vepra penale sa i përket kontrabandës por në 2019 ka pasur rënie. Pyetja që ngriti Veliu në mbledhje ishte: Ka rënë kontrabanda apo është paaftësi e policisë së Shkodrës për të zbuluar? Drejtuesit e Policisë së Shkodrës janë kritikuar, pasi grupe dhe individë të ndryshëm kriminal që shënjestruar nga Policia ende nuk janë goditur.

Thirrja e kryepolicit është që të angazhohen të gjithë strukturat e policisë vendore në Shkodër. “Në kompleks e gjithë situata ka shumë problematika. Kërkohet angazhim nga të gjitha strukturat. Dua ta ndaj në dy pjesë, angazhim total për ngjarjet e rënda por një neglizhencë për krimet kundër pronës. Detyra jonë është ta zbardhim çdo ngjarje, duhet vlerësim maksimal për veprat penale kundër pronës duke iu referuar rasteve të vjedhjeve dhe grabitjeve të cilat në të shumtën e rasteve janë neglizhuar. Parandalimi në kontrollin e territorit”.

Për Policinë e Shtetit, lufta të jetë edhe më e fortë, kjo edhe për të zeruar kultivimin e kanabisit.  Gjatë vitit 2018 në qytetin e Shkodrës u regjistruan 7 ekzektutime që vijuan tragjikisht edhe përgjatë 2019.  Pavarësisht se ato bënë bujë dhe e kthyen qytetin në një “Palermo”, hetuesit ende nuk i kanë gjetur ekzekutorët. Gjatë mbledhjes, disa shefa policie kanë shprehur shqetësimin për ndalimin e përdorimit të telefonave, duke thënë se në disa zona të largëta radiot nuk kanë valë. Drejtori Veliu por edhe Drejtori i Rendit në Policinë e Shtetit, Gjovalin Loka ka kritikuar efektivët e Shkodrës ku ka kërkuar angazhim më të madh sa i takon parandalimit pasi sipas tyre kjo pjesë është në nivele tepër të ulëta. Analiza e policisë së Shkodrës, zgjati rreth dy orë ndërkohë që u zhvillua pa praninë e mediave.

Mbledhja e Policisë së Shkodrës, për të analizuar punën e vitit 2019 është komentuar edhe nga ish-deputetja e PD-së për këtë qark, Izmira Ulqinaku. Me ironi ajo thotë se kryepolici la porosi për hajdutët e biçikletave. “Shkodra nuk është shquar kurrë për vjedhje dhe nuk është kjo që kërcënon jetën e shkodranëve. Ajo që shqetëson bashkëqytetarët e mi dhe po i bën të braktisin vendin janë presionet nga bandat”,-shkruan në facebook ish-deputetja. Nga ana tjetër, ajo thotë se në qytet janë më shumë se 4 banda, me të cilat qeveria bashkëpunon. “Ajo që shqetëson bashkëqytetarët e mi dhe po i bën të braktisin vendin janë presionet nga bandat. Ekzistojnë më shumë se 4 banda në Shkodër që ju dhe qeveria juaj bashkëpunon. Ato sillen në qytet të lirë dhe të pashqetësuar gjobisin bizneset. Në 2017, ato blenë vota pafund për llogari të Edi Ramës, me lekët e drogës”.

"SHKODRA, NJOLLË E ZEZË E KONTRABANDËS"

SHKARKO APP