VIDEOLAJM/Vdes roja, bie në gropën e ashensorit. Në pranga administratori dhe inxhinieri i firmës
Tërmeti i 28 janarit, i mori jetën 62-vjeçarit, Thoma Ruçit. I ndjeri ishte roje në një subjekt në ndërtim e sipër në zonën e Currilave në Durrës, kur ra aksidentalisht nga kati i 2-të. Viktima dyshohet se ra nga kjo lartësi për shkak të frikës nga tërmeti. Në pranga për këtë ngjarje janë vënë administratori dhe inxhinieri i firmës. Ata akuzohen për shkelje të rregullave të punës.
Policia sqaron se subjekti i ndërtimit nuk i kishte krijuar rojes kushtet që ai të ushtronte detyrën e tij pa ju rrezikuar jeta. Gropa e ashensorit nuk ishte e kufizuar me elementë që sigurojnë jetën e punëtorëve dhe rojes gjithashtu. Në këto kushte roja ndodhej në katin e dytë kur ra tërmeti dhe duket ka menduar të sigurohet pranë gropës së ashensorit por fatkeqësisht ka rënë brenda duke humbur jetën menjëherë. Nga ana tjetër, mësohet se roja kishte një vendqëndim (kabinë) ku akomodohej gjatë orëve të natës.
Në lidhje me hetimet për tërmetin e 26 nëntorit, momentalisht në qeli janë vetëm 12 vetë të arrestuar, ndërsa 9 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.