VIDEOLAJM/Virusi kinez, Prokuroria: Burg kush shpërndan lajme të rreme
Një mesazh audio që u shpërnda në rrjetin social Whatsapp, ku thuhej se në Shqipëri janë konfirmuar disa raste me koronavirus u hodh menjëherë poshtë nga autoritetet në vend, duke u vlerësuar si një lajm i rremë me synimin për të përhapur panik. Prokuroria e Tiranës bën të ditur se ka nisur edhe një hetim në lidhje me këtë rast.
“Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë, duke marrë shkas nga të dhënat e ndryshme të bëra publike në media si dhe përhapja e mesazheve nëpërmjet telefonit, në lidhje me informacione të dyshuara si të rreme mbi përhapjen e mundshme të koronavirusit, në vendin tonë, filloi kryesisht hetimin për veprën penale të “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”, parashikuar nga neni 267 i Kodit Penal. Objekti i hetimit lidhet me situatën e krijuar si rezultat i hapjes së informatave për të cilat dyshohen se janë të rreme, për shkak të natyrës sensitive që paraqet përhapja e këtyre informacioneve në masën e gjerë. Duke treguar impenjimin maksimal të prokurorisë, në trajtimin e rasteve të tilla, sjellim në vëmendjen e qytetarëve se çdo përhapje e informatave apo njoftimeve të rreme, me fjalë, me shkrim, apo me çdo mënyrë tjetër, me qëllim që të ngjallë një gjendje pasigurie dhe paniku tek njerëzit është penalisht e dënueshme. Vijojmë të ndjekim me interes të shtuar, çdo të dhënë në raport me rastin konkret, duke kërkuar mirëkuptimin dhe besimin e qytetarëve. Nga ana tjetër, mirëpresim çdo qytetar për informacionet që mundet të disponojnë”,-thuhet në njoftimin e plotë të Prokurorisë së Tiranës. Shorti vendosi që Ylli Pjetërnikaj të jetë prokurori i çështjes për shpërndarjen e informacioneve të rreme me qëllim panikun.
Mesazhi i vajzës u bë viral në rrjet. “Është bërë problem i madh”, dëgjohet të thotë në audion e dytë, ndërsa kërkon që audio e parë të fshihet. “Goca kjo audio është e imja. E kam nisur te grupi i punës para pak orësh dhe ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni. Të gjithë njerëzve që ua keni dërguar thuajini fshijeni se unë kam për të shkuar në polici dhe kam për të dhënë deklaratë gjasme për lajme fake. Të lutem kushdo që e merr këtë audio, ti thonë që ta fshini dhe mos ta shpërndajë më se është bërë problem shumë i madh. Ju lutem, ju lutem, ju lutem fshijeni”.
Vajza që shpërndau këtë mesazh zanor ende nuk është gjendur për t’u marrë në pyetje por thuhet se çështja është drejt zbardhjes. Sipas kodit penal për përhapjen e informative të rreme që ngjallin panik, vajza rrezikon të dënohet me gjobë ose deri në 5 vite burg. Prokuroria në njoftimin e saj për shtyp, lidhur me hetimin që ka nisur ndaj kësaj çështje, ka kërkuar edhe informacione nga qytetarët që mund të çojnë drejt zbardhjes së plotë.