VIDEOLAJM/Vrasja e pengut, urdhri u dha nga Ekuadori. Prokuroria: Të kapet Astriti. Policia: U dërgua i vdekur në resort
Forcat Speciale RENEA kanë zhvilluar një operacion në Shkodër, ku kanë shoqëruar të paktën dy persona, të cilët dyshohet se kanë të bëjnë me rrëmbimin, vrasjen dhe fshehjen e trupit të pengut, Jani Prenga. Njëri prej të shoqëruarëve është pjestar i famljes Doçi, që dyshohet se ka porositur pengmarrjen. Më kryesori është G.Doci, ku në disa disa përgjime telefonike, edhe nga autoritet britanike është zbuluar komunikimi i tij me të vëllanë e viktimës, Astritin. Ky i fundit e pyet “ku e kam vëllanë”, dhe ai i thotë “e di shumë mirë ku e ke vëllanë, se më ke prekur mallin”. E gjithë kjo bisedë erdhi pasi vëllai i Jan Prengës, Astriti nuk kishte dorëzuar sasinë prej 283 kg të kokainës. Edhe tre persona të tjerë në kërkim nga Shkodra, po që për arsye hetimore identiteti i tyre nuk bëhet i ditur.
Rrjeti i trafikut drejtohet nga burgu i Ekuadorit aty ku është i ndaluar që prej vitit 2014 personi nga Vlora me inicialet D.R. Në bazë të përgjimeve të kryera për zbardhjen e kësaj ngjarje ka dalë edhe telefonata nga burgu i Ekuadorit. Duhet theksuar fakti që D.R është përgjuar gjatë gjithë kohës dhe është zbardhur edhe planifikimi i rrëmbimit. Prokuroria e Tiranës i ka dërguar një letër-porosi urgjente autoriteteve në Britaninë e Madhe, ku kërkon ndalimin e Astrit Prengën, i cili ishte korrier në Angli i bandave të trafikut të kokainës.
Organi i akuzës në Shqipëri kërkon që përmes dëshmisë të Astrit të zbërthejë të gjitha grupet kriminale por mbi të gjitha ngjarjen në fjalë. Nga ana tjetër, Prokuroria ka bllokuar resortin “Golden” në Shijak ku u dërgua Prenga pasi u mor peng mesditën e 17 janarit. Policia ende nuk ka lokalizuar trupin e viktimës. Me polumbarë dhe qen nuhatës, kërkimet po kryhen në lumin Erzen dhe në vijën bregdetare nga Kavaja deri në Ishëm. Prokuroria ka firmosur 11 urdhër arreste, nga të cilat 5 janë ekzekutuar nga policia, ndërsa 6 persona janë në kërkim.
Letërpororisa
Prokuroria e Tiranës ka hedhur një tjetër hap për ngjarjen mafioze që i mori jetën pengut, Jani Prenga. Mësohet se prokuroria i ka dërguar një letër-porosi urgjente autoriteteve në Britaninë e Madhe ku kërkon që të ndalojnë Astrit Prengën, vëllain e Jan Prengës, i cili ishte korrier në Angli i bandave të trafikut të kokainës. Organi i akuzës në Shqipëri kërkon që përmes dëshmisë së Astrit Prengës të zbërthejë të gjithë grupet kriminale në vendin tonë, veçanërisht rolin e tyre në pengmarrjen dhe më tej vrasjen e 48-vjeçarit pas prishjes së pazareve të drogës të vëllait të tij me vëllezërit Hajri dhe grupet bashkëpunëtore kriminale.
Rrëmbimi
Policia e Shtetit ka dhënë sqarime lidhur me pengmarrjen e Jan Prengës dhe më pas vrasjen e tij, më datën 17 janar. Policia sqaron se hetimi dhe gjetja e të dhënave të publikuara deri më tani janë falë punës së grupit të posaçëm hetimor, i cili pasi siguroi informacione nga burime policore dhe duke përdorur të gjitha teknikat speciale të hetimit të miratuara nga Prokuroria dhe Gjykata, në përfundim të analizimit të informacioneve të siguruara krijoi bindjen e plotë të bazuar mbi prova se Prengu mund të mbahej peng në resortin në pronësi të shtetasit A.H, banues në Shijak. “Duam të theksojmë se Policia e Shtetit disponon prova të pakundërshtueshme se shtetasi J.P ka ndërruar jetë më datë 17 janar, pra ditën e rrëmbimit dhe se në resort është dërguar pa shenja jete. Strukturat e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me prokurorinë, vijojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë krim, si dhe për gjetjen e trupit të shtetasit J.P”.