Vijnë në Tiranë dy raportuesit e Këshillit të Europës, zbardhet axhenda e takimeve
Kriza politike, që ka përfshirë vendin që shumë muajsh tashmë, ka rikthyer sërish vëmendjen e ndërkombëtarëve.
Sot në Tiranë pritet të mbërrijnë dy raportues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës. Gjermani Andrej Hunko dhe Joseph O’Reilly nga Irlanda.
Sot dhe nesër, dy zyrtarët pritet të kenë një axhendë të ngjeshur takimesh me klasën politike në Shqipëri.
Fillimisht, në orën 11.30 ata do të zhvillojnë një takim me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në Kuvend, më pas në ministrinë e Drejtësisë, me grupet parlamentare të mazhorancës dhe opozitës parlamentare.
Po ashtu, mësohet se pjesë e axhendës do të jenë edhe takimet me kreun e PD, Lulzim Basha dhe të LSI, Monika Kryemadhi, ndërsa paraditen e nesërme pritet të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin Edi Rama, për ta përmbyllur me shoqërinë civile.
Ky takim vjen në sajë të një misioni faktmbledhës sa i takon krizës politike, zgjedhjeve të 30 qershorit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
KOHA JONË SONDAZH

