Vijojnë aplikimet për programin e rindërtimit në Njësinë 10, afati i fundit 28 shkurti
Kur kanë mbetur edhe tre ditë nga aplikimi për plotësimin e formularit, përmes të cilit qytetarët e dëmtuar nga tërmeti përfitojnë nga programi i rindërtimit, sportelet e 27 njësive administrative të Tiranës qëndrojnë të hapura me orare të zgjatura.
Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Anisa Ruseti inspektoi sot procesin në Njësinë 10, prej nga u bëri thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë ditët e mbetura për të përfituar nga programi. “Sot kemi ardhur për të inspektuar procesin e aplikimit për programin e rindërtimit në njësinë 10 dhe nga sa jemi informuar, qytetarët kanë ardhur gjatë kësaj periudhe për të aplikuar, por patjetër ditët e fundit është shtuar fluksi, duke qenë se në të gjitha njësitë administrative janë shtuar sportelet dhe oraret kur administrata ka qenë në punë për të plotësuar aplikimet”, tha Ruseti. Krahas njoftimeve publike, qytetarët të cilët kanë përfituar bonus qiraje pasi banesa e tyre u dëmtua nga tërmeti, kanë marrë një njoftim nga ana e bashkisë edhe përmes një mesazhi në celular.
“Qytetarëve që janë pjesë e programit të bonusit të qerasë u ka ardhur një mesazh njoftues në telefonin e tyre personal nga Bashkia e Tiranës, ku u bëhet e ditur se afati i fundit për të aplikuar është data 28 shkurt. Pra, ditën e premte do të jetë afati i fundit për të aplikuar”, bëri të ditur Ruseti. Pas përmbylljes së kësaj faze, Bashkia e Tiranës do të nisë shqyrtimin e aplikimeve dhe kategorizimin e tyre në varësi të programeve. Në këtë moment do të bëhet edhe plotësimi i dosjes me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
“Kjo është vetëm faza e parë, ku pastaj Bashkia e Tiranës do të mbledhë aplikimet për t’i ndarë në varësi të programeve ku do të aplikojnë. Më pas qytetarët do të duhet të dorëzojnë të gjitha dokumentet që plotësojnë dosjet e tyre, ose në rastet ku qytetarët kanë zgjedhur që ky proces të bëhet në njësi administrative, kanë firmosur një aplikim që thotë: ‘Autorizoj njësinë administrative të mbledhë të gjitha dokumentet në emër të qytetarit’”, vijoi nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.
Ruseti siguroi qytetarët se në varësi edhe të dëmit që ka pësuar banesa e tyre, do të bëhet dëmshpërblimi ose rindërtimi i banesës nga e para. Në kryeqytet janë përcaktuar 5 zona të reja në zonat rurale dhe 4 të tjera në pjesën urbane të Tiranës.