Vijojnë investimet në blloqet mes pallateve, asfaltohet rruga “Xhoxhi Martini” në Njësinë 2

Rruga “Xhoxhi Martini” dhe rrugicat lidhëse mes bllokut të pallateve në Njësinë 2, po asfaltohen nga Bashkia e Tiranës, duke i dhënë një pamje tjetër kësaj zone të rëndësishme të qytetit. Drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, Erind Bejko, u shpreh se me përfundimin e asfaltit, por edhe të ndërhyrjeve të tjera në sistemin kullues dhe sinjalistikën rrugore, lagjja do të transformohet plotësisht.

“Prej më se një jave jemi fokusuar në këtë bllok pallatesh. Është punuar nën tokë me zgarat e shiut, është punuar me asfaltimin, me ndriçimin dhe tani fillojmë me sinjalistikën horizontale dhe vertikale”, tha Bejko.

Administratori i Njësisë Administrative Nr. 2, Florian Pullazi tha se kjo rrugë ka qenë një kërkesë e komunitetit të zonës dhe i shërben një numri të madh banorësh. “I falënderoj kolegët e Ndërmarrjes Publike Nr. 2, për punë e mirë që kanë bërë këtu. Kjo rrugë ka qenë një kërkesë e kahershme e banorëve të zonës. Kjo rrugë lidh pjesën e Shkollës Pedagogjike dhe Pazarit të Ri, ka një qarkullim shumë të lartë,” deklaroi ai.

SHKARKO APP