Vijojnë takimet e kryepolicit me drejtorët: Mos komandoni nga zyra, dilni në terren
Këtë të martë, drejtori i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku ka mbledhur në një takim strukturat e drejtorive vendore të Policisë Vlorë, Gjirokastër, Fier, Berat, Lezhë dhe Shkodër, si dhe me strukturat e drejtorive vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, Gjirokastër dhe Shkodër.
Kryepolici ka kërkuar ndryshim të vizionit dhe sjelljes në komunitet dhe në luftën ndaj krimit. “Kërkoj impenjim maksimal dhe profesional, për hetime të thelluara, duke bashkëpunuar me prokuroritë respektive dhe agjencitë ligjzbatuese. Intensifikoni masat, me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të rënda kriminale të ndodhura më parë. Intensifikoni kontrollet në terren, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike në terren të hapur dhe në ambiente të mbyllura”, ka deklaruar ai.
Muhamet Rumbullaku mori zyrtarisht detyrën në 8 shtator pas shkarkimit të Gledis Nanos, dhe për të ka një afat prej 100 ditësh, kjo me qëllim ndryshimin e metodologjisë së punës së Policisë së Shtetit.