Vijon aksioni- 20 arrestime për energjinë, 6 për ndërtimet, 2 për prerje pyjesh

Policia e Shtetit po vijon punën për të goditur paligjshmërinë, si për parandalimin e vjedhjes së energjisë elektrike, ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara.

Në drejtim të parandalimit dhe goditjes së vjedhjes së energjisë elektrike në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 80 grupe të përbashkëta Polici-OSHEE. Janë kryer 3.765 kontrolle në terren, ku u evidentuan 36 raste të vjedhjes së energjisë elektrike.

Nga këta, 20 autorë janë arrestuar në flagrancë, 3 janë shpallur në kërkim dhe 13 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Sa u përket ndërtimeve të paligjshme, nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit në të gjithë vendin janë evidentuar 25 raste të ndërtimeve pa leje. Për këto raste janë evidentuar dhe proceduar 25 autorë nga të cilët, 6 janë arrestuar në flagrancë, ndërsa 17 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve , gjatë kësaj periudhe në të gjithë vendin janë evidentuar 12 raste me 12 autorë, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë dhe 10 ndiqen në gjendje të lirë.

Ndërsa sa i përket organizimit të lotarive të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 13 raste me 13 autorë, të cilët ndiqen në gjendje të lirë. Edhe në javët në vazhdim , Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme.

SHKARKO APP