Vijon debati në Kuvend pas deklaratës së Xhaferajt që i quajti ministret “çupulina”

Vijojnë debatet në seancën plenare pas deklaratës së deputetit Ferdinand Xhaferaj, i cili tha se Rama bëri ministre disa çupëlina.

Deputetja Mesila Doda, por edhe deputete e ministre të mazhorancës, i kanë kërkuar kolegut Xhaferaj, që të kërkojë ndjesë për deklaratën, duke e quajtur atë një deklaratë seksiste.

Ndërkohë Xhaferaj iu drejtua ministres Belinda Balluku, duke i thënë se nuk e ka hallin te ndjesa, por te interpelanca e fundit mbi Portin e Durrësit.

Pjesë nga debatet:
Mesila Doda: Ngrihen burrat e përdorin një fjalor misogjen. Dënoj nga të gjitha krahët një burrë që flet ndaj grave. Jo vetëm Xhaferaj ishte gabim, por dhe fjala që kryeministri përdor në lidhje me fjalët e opozitës, kur nuk i pëlqen ndonjë fjalë, është një fjalor misogjen. Të nderuara zonja ngrihuni në nivelin e dinjitetit që iu ka dhënë Zoti. Mos i etiketoni gratë si qenie të shkallës së dytë, më të ulëta se burrat. Mos atakoni në bazë të gjinisë, sepse na ka dhënë Zoti të barabartë. Ndaj unë sot dënoj fjalën e kolegut tim, që duhet të kërkojë patjetër ndjesë. Por, ftoj zonjat ministre dhe zonjat e PS sot që të dënojë fjalët e kryeministrit, që sa herë në fushatë na ka etiketuar dhe nxjerrë fjalët tona. Gratë duhet të bëhen bashkë.

Xhaferaj: I them zonjës ministre, që edhe respekti që kam karshi zonjave më ka bërë deputetin unik të opozitës. Jam drejtuar gjithmonë me i, e nderuar, sa herë kam marrë fjalën në Kuvend. Fakti që zonja ministre mori flamurin për të përfaqësuar gratë, i ka rrënjët te një javë më parë, te interpelanca për Portin e Durrësit. Nuk ka shpëtim, do vijë interpelanca tjetër, për Porto Romanon, ku me fakte do denoncoj mbi aferën më të madhe.

Balluku: Z. Xhaferi jo vetëm nuk kërkoni falje, por morët edhe njëherë një çështje që e ezauruam në seancën e shkuar. Ju keni të drejtë të kërkoni sa të doni interpelanca, por sot sapo folët për diçka tjetër. Do ishte në nderin tuaj të qëndroni te çështja që sapo hapët për çupëlinat, me etiketim. Nuk e di që ju këtu keni detyrën se si kryeministri bën kabinetin. Mund të flisni për paaftësi, por jo të prezumoni se mosha i bën anëtaret e kabinetit të padenja të bëjnë detyrën. Kjo kalon të gjitha limitet e etikës. Sot duhet t’i përgjigjeni kërkesës për të kërkuar falje dhe nuk po gjeni forcën për ta bërë çuditërisht.

SHKARKO APP