Vijon në izolim, Berisha akuza gjyqtares: Dje nuk mori vendim pasi nuk lidhej dot me Ramën

Gjykata e Apelit të Posaçëm nuk pranoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë për Sali Berishën dhe ai do të vijojë që të rrijë në ”arrest shtëpie”. Nga dritarja e banesës së tij, Berisha ka sulmuar gjyqtaren që mori vendimin. Berisha tha se gjyqtarja nuk arriti të merrte vendim një ditë më pasi nuk lidheshin dot me kryeministrin Edi Rama, pasi ndodhej në Spanjë.

”Në një periudhë në të cilën mafia shqiptare, e mbështetur nga mafia ndërkombëtare, nga kartelet e drogës nga Meksika në Dubai dhe zona të tjera, nga krimi i organizuar, nga mafia e Xhorxh Sorosit, ka instaluar në Shqipëri një diktaturë shkatërrimtare për kombin shqiptar.

Një diktaturë që merr përmasa shfarosëse po të kemi parasysh largimin masiv për shkak të kushteve të krijuar nga regjimi i shqiptarëve nga Shqipëria. Miqtë e mi, sot një gjykatëse mjerane, produkt i reformës së Xhorxh Sorosit, në verbërinë e saj, mbajti në fuqi vendimin e diktuar nga Edi Rama.

Kjo mjerane nuk guxoi të shprehej dje, pasi nuk lidheshin dot me Edi Ramën jashtë vendit, por priti sa të merrte urdhrin dhe të komunikonte vendimin e saj. Por unë jam sot me ju, nuk ndjehem kurrë i izoluar, përkundrazi ndjehem më i motivuar se kurrë në betejën time, më optimist, më me shpresë se asnjëherë. Në emër tuaj, luftëtarë të lirisë, njerëz të emancipuar, të rinj, të reja, burra dhe gra të guximit, që po mbillni shpresë çdo natë në Tiranë dhe në Shqipëri, ftoj shqiptarët të ngrihen dhe të bashkohen me ju”.

SHKARKO APP