Vijon transformimi i lagjeve në Gramsh, Gjiknuri: Sot kemi një infrastrukturë moderne që i bën të gjithë krenarë

Lagjia “Llapushaj”, më e vjetra e qytetit të Gramshit, është transformuar tërësisht falë punës së Bashkisë, ku ka përfunduar rruga e re e cila u vjen në ndihmë banorëve të zonës. Rruga e përfunduar u inspektua nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri njëherësh dhe drejtues politik i qarkut bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Klodian Taçe dhe deputetin e zonës, Besian Ajazi.

Gjiknuri thotë se realizimi i një investimi të tillë është tregues i qartë se kur ka vullnet, mund të bëhen punë të mira. “Unë u surprizova sepse kam qenë dëshmitar vetë i gjendjes së kësaj lagjeje, ka qenë gjithmonë një kërkesë e kahershme e banorëve. Sot kemi një infrastrukturë moderne që duhet ti bëjë të gjithë krenarë. Ky vend piktoresk është kthyer në një zonë që e vizitojnë të gjithë qytetarët pasi pamja këtu është e mrekullueshme. Unë inkurajoj të gjithë ata që vijnë në Gramsh të kalojnë këtej për të parë liqenin e Banjës që harmonizohet me qytetin. Është një investim që nuk imagjinoja se do bëhej. Terreni ka qenë i vështirë. Por kur ka vullnet mund të realizohen investime të tilla”, tha Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë Klodian Taçe, nënvizoi se ndërtimi i rrugës së re ka qenë një kërkesë e banorëve të kësaj zone, që do të rrisë dhe potencialin turistik të saj. “Është lagjja më e vjetër e qytetit tonë ku banorët prej kohësh kanë kërkuar një infrastrukturë më të mirë. Sot investimi me fondet e Bashkisë ka përfunduar. Një rrugë që në mbrëmje kthehet në një shëtitore ku ka një pamje të mrekullueshme të liqenit të Banjës të urave mbi liqen. Është një premtim i mbajtur nga ana jonë dhe nga ana e qeverisë shqiptare”, deklaroi kryebashkiaku Taçe.

Deputeti Besian Ajazi theksoi se puna do të vijojë dhe në dy lagjet hyrëse të Gramshit. “Investimi më i madh dhe më i rëndësishëm i Bashkisë së Gramshit në këto vite. Ka një ndikim shumë të madh sepse është një nga lagjet më të vjetra dhe më të populluara të qytetit. Me qindra familje përfitojnë nga ky investim. Me ndërhyrjen edhe në dy lagjet hyrëse të qytetit të Gramshit ne kompletojmë investimet duke sjellë urbanizimin e tyre”, deklaroi deputeti Ajazi.

Qyteti i Gramshit është kthyer në një kantier ndërtimi ku po punohet jo vetëm për rehabilitimin e lagjeve të brendshme, por dhe për rrugët që lidhin qytetin me zonat e tjera.

SHKARKO APP