Viktima dhe dëme nga uragani, shqiptari nga Florida: Ika 4 orë larg nga shtëpia! Kishte erëra dhe përmbytje

16 jetë të humbura janë shkaktuar nga Uragani ”Milton” që ka goditur SHBA-në, më shumë në Florida. Shqiptari Endri Filipi, tha se janë mësuar me uragane, pasi kjo zonë preket shumë nga këto fenomene natyrore. Ai shtoi se kur ka ndodhur uragani, është larguar 4 orë larg nga shtëpia dhe se akoma nuk ka drita në pronën e tij. Endri Filipi shtoi se kur ka ndodhur uragani, ka pasur edhe erëra të fuqishme e përmbytje.

”Unë u largova 4 orë nga shtëpia, për shkak se nënën e kam të moshuar. Dritat kishin ikur edhe në banesën time. Edhe tani nuk kemi drita këtu e nuk dihet se kur do vijnë. Unë jetoj në Florida, kam jetuar këtu që më 2001. Jemi mësuar me uragane të tilla, por erërat ishin të fuqishëm. Kishte pemë të rrëzuara, si dhe përmbytje. Por, përmbytje ka pasur më shumë tek pjesa e plazhit. Urat që të çojnë në plazh janë mbyllur, që mos shkohet më andej.

Do pak kohë që të pastrohen rrugët dhe të vijë energjia. Shumica e pronave janë siguruar dhe kthehen paratë. Me çfarë kam dëgjuar, 16 persona kanë humbur jetën. Ka shumë shqiptarë në Florida, pasi është zonë e madhe. Me sa di, nuk ka shqiptar që të ketë pasoja në jetë nga uragani. Uragan i tillë nuk ishte parë në Tampa që prej 1992. Por, sidoqoftë Florida është zonë e bukur dhe nuk e ndërroj me asnjë vend”,-tha në ”News 24”.

SHKARKO APP