Viktimat e trafikimit, Voda: Akses në shërbime parandaluese, mbrojtëse dhe ri-integruese
Gjatë konferencës rajonale kundër trafikimit të qenieve njerëzore, “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve dhe vetëdijes për të luftuar trafikimin e personave në Ballkan”, zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda u shpreh se projekti i DASH-it ka si qëllim ofrimin e shërbimeve komunitare te viktimat e trafikimit në Ballkan.
”Projekti që po prezantohet, për pothuajse 3 vjet, ka si qëllim mundësimin e funksionimit të mekanizmave koordinues shtetërorë dhe ndërshtetërorë për identifikimin, menaxhimin e rastit dhe ofrimin e shërbimeve komunitare për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në rajonin e Ballkanit, duke siguruar akses në shërbime gjithëpërfshirëse, parandaluese, mbrojtëse dhe ri-integruese”,-tha Voda.
Më tej Voda tha se, në fokus kryesor të veprimtarisë së kësaj organizate është mbrojtja e fëmijëve dhe përmirësimi i mekanizmave në kuadër të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, ku vlen të theksohet nxitja dhe bashkëpunimi me Zyrën tonë.
Fjala e Zv.ministres së Brendshme Rovena Voda
Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë time të veçantë që jam këtu bashkë me ju në prezantimin e projektit “Përmirësimi i ofrimit të shërbimeve dhe ndërgjegjësimi në luftën kundër trafikimit të personave në rajonin e Ballkanit, Shqipëri, Maqedoni, Mal i Zi dhe Kosovë”, i financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet programit të Zyrës së Departamentit Amerikan për monitorimin dhe luftën kundër trafikimit të personave J/TIP.
Së dyti më duhet të theksoj që në fillim se implementimi i këtij projekti ka të bëjë me zbatimin e një axhende të përbashkët rajonale veprimesh kundër trafikimit të personave, që sigurisht do të vazhdojë të intensifikohet dhe të njohë pa diskutim edhe zhvillime të tjera në të ardhmen.
Në këtë event, në emër të Ministrisë së Brendshme dhe të zyrës që unë drejtoj, lejomëni të falënderoj Departamentin Amerikan të Shtetit që mundësoi financimin e këtij projekti, dhe gjej rastin të shpreh vlerësimin tim personal dhe institucional për Ambasadën amerikane në Tiranë, si një partner strategjik dhe bashkëpunëtor të ngushtë në përpjekjet kundër këtij fenomeni, pra trafikimit të personave.
Qeveria amerikane, ka qenë një ndër mbështetësit kryesorë dhe vazhdon të jetë, jo vetëm të institucioneve shtetërore, por edhe të organizatave kombëtare dhe shoqërisë civile në Shqipëri në përpjekjet e tyre për të luftuar dhe parandaluar trafikimin e personave.
Kjo mbështetje është ofruar për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve dhe ekspertizës më të mirë në përmirësimin e hetimit dhe ndjekjes penale, si dhe mbështetjes për ofrimin e shërbimeve direkte për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit.
Qeveria amerikane ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të vyer në rritjen e kapaciteteve të strukturave shtetërore në nivel qendror, por të mos harrojmë edhe në ato në nivel lokal, si dhe në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave të shoqërisë civile.
Sigurisht, që prioritetet e qeverisë shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme bazohen tek politikat strategjike antitrafikim dhe tek rekomandimet e partnerëve tanë si SHBA dhe BE dhe natyrisht përkthehen në plane pune në luftën kundër trafikimit të personave.
Jam e bindur se, duke pasur edhe mbështetjen dhe asistencën tuaj të vazhdueshme, Ministria e Brendshme dhe Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim do të zbatojë me përpikëri rekomandimet dhe sugjerimet tuaja.
Sigurisht, çelja e këtij projekti për Ministrinë e Brendshme dhe, në veçanti për Zyrën e Koordinatorit Kombëtar kundër Trafikimit të Personave përbën një sukses të dyfishtë si bashkudhëtarë në zbatimin me sukses të aktiviteteve dhe programit të projektit.
Një falënderimi i veçantë shkon për organizatën Terre des Hommes, si një partner i pandarë i përpjekjeve tona të përbashkëta në luftën kundër trafikimit të personave dhe posaçërisht në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Partneriteti me Terre des Hommes merr rëndësi të veçantë sepse në fokus kryesor të veprimtarisë së kësaj organizate është mbrojtja e fëmijëve dhe përmirësimi i mekanizmave në kuadër të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve, ku vlen të theksohet nxitja dhe bashkëpunimi me Zyrën tonë.
Dëshiroj të falënderoj të fundit, por jo nga rëndësia kolegët e mi të Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës për angazhimin dhe bashkëpunimin e tyre të kahershëm në luftën kundër trafikimit të personave, duke sjellë praktikat pozitive në bërjen ballë të këtij fenomeni, por edhe në dhënien e ideve në përmirësimin e punës së gjithsecilit, për një koordinim më të mirë midis nesh dhe një qasje efektive për adresimin e kësaj sfide, pa diskutim të përbashkët.
Projekti që po prezantohet, për pothuajse 3 vjet, ka si qëllim mundësimin e funksionimit të mekanizmave koordinues shtetërorë dhe ndërshtetërorë për identifikimin, menaxhimin e rastit dhe ofrimin e shërbimeve komunitare për viktimat dhe viktimat e mundshme të trafikimit në rajonin e Ballkanit, duke siguruar akses në shërbime gjithëpërfshirëse, parandaluese, mbrojtëse dhe ri-integruese.
Po kështu, fuqizimi i bashkëpunimit ndërshtetëror në vendet e zbatimit të projektit për identifikimin, referimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore nëpërmjet unifikimit të Procedurave Standarde të Veprimit, ngritja e kapaciteteve të profesionistëve nëpërmjet të mësuarit online, si dhe zhvillimi i fushatave të përbashkëta rajonale ndërgjegjësuese, do të çojë në një dimension të ri, cilësor, jo vetëm bashkëpunimin dhe koordinimin mes 4 vendeve tona, por do të sigurojë një vazhdimësi të konsoliduar të objektivave dhe përpjekjeve tona të përbashkëta antitrafikim.
Kam bindjen se ky projekt do të sjellë rezultate dhe do të përmbushë pritshmëritë tona edhe për një arsye tjetër po aq të rëndësishme, është konceptuar si një përpjekje e përbashkët midis Terre des Hommes në Shqipëri dhe gjashtë organizatave lokale në të katër vendet tona.
Dy organizatat, “ARSIS” dhe “Të Ndryshëm dhe të Barabartë”, kanë një kontribut të posaçëm, në mbrojtjen dhe asistencën e grupeve vulnerabël dhe veçanërisht, të viktimave të trafikimit, i cili është ngritur në një nivel të institucionalizuar, duke qenë palë me të drejta të plota të Mekanizmit Kombëtar të Referimit për viktimat e trafikimit.
Në përfundim të fjalës sime dëshiroj t’ju siguroj se, Zyra e Koordinatorit Kombëtar do të vazhdojë akoma më tej përpjekjet e saj në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave dhe do të vazhdojë të luajë rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat e përbashkëta rajonale.
Duke e konsideruar përvojën që do të krijohet gjatë zbatimit të këtij projekti, si një bazë për konsolidimin e bashkëpunimit tonë në luftën kundër këtij fenomeni, jam e bindur se do të vijojmë të kemi projekte dhe programe të tjera afat-gjata po kaq të suksesshme.
Ju faleminderit!

KOHA JONË SONDAZH

