Viktor Marku në gjyq: S’kam vrarë njeri. Avokati: U ndalua pa një urdhër (VIDEO LAJM)

Për ekzekutimin mafioz të Hekuran Billës, në pranga është vënë Viktor Marku si i dyshuari kryesor. Ai është vëllai i Prel Markut, i vrarë nga Billa në 2006. Pas arrestimit në Mal të Zi, të hënën u mbajt seanca e parë në Gjykatë por vendimi u shty për të martën. Gjatë seancës Marku ka qenë i qetë, ku edhe ka thënë se “Policia të gjejë autorët. Ditën e vrasjes e deri kur më arrestuan kam qenë në Mal të Zi. Policia të bëjë ç’të dojë, unë nuk kam vrarë njeri”.

Avokati i tij, Ilir Murati, në një prononcim për mediat, tha se arrestimi i klientit të tij u bë pa një urdhër ndalimi. Kurse për Sebastian Malin, avokati ka pohuar se nuk ka lidhje me ngjarjen, përkundrazi, e cilësoi si një student të shkëlqyer të Juridikut. Ka një alibi që sipas sistemit TIMS qëndron, pasi nga 19 janari 2020 Marku ka hyrë në Mal të Zi por prej atij momenti nuk ka një hyrje të rregullt në Shqipëri.

“Ka një verifikim sistemi TIMS që konstatohet dhe u relatua nga prokuroria që ky person ndodhej në Mal të Zi. Ne vlerësojmë punën e policisë së shtetit, por puna duhet të shoqërohet me njohjen e vërtetë të autorit të ngjarjes. Viktori thotë se nuk jam autori i kësaj ngjarje. Ai thotë se ka punuar në Mal të Zi. Gjykata kërkon që të sillen aktet ligjore për arrestimin e një shtetasi shqiptar dhe jo të arrestohet shtetasi në mënyrë të padrejtë. Në relatimin që u bë në gjykim nuk konstatohet nga ana e mbrojtjes një akt ndalimi. Kodi parashikon një urdhër ndalimi dhe një procesverbal për ekzekutimin e urdhrit të ndalimit. Deri në këto momente mbrojtja nuk e konstatoj. Janë nip e dajë nuk kanë lidhje me ngjarjen. Është një student juridiku i shkëlqyer, është e drejtë e çdo qytetari të lëvizë në çdo sheshe apo parkime”.

Të dielën për Malin, i cili është nip i Markut, u caktua masa e sigurisë “arrest në burg” si bashkëpunëtor në këtë vrasje. Përpara grupit hetimor, i riu u shpreh se ka qenë duke kaluar në zonë për qejf dhe se nuk ka lidhje në atentatin ndaj 40-vjeçarit. “Isha në zonën afër vendit të ngjarjes sepse shkoja shpesh për të bërë pazar në qendër dhe shikoja një vajzë që dhe ajo vinte shpesh aty”. 22-vjeçari mësohet se vëzhgoi lëvizjet e shënjestrës. Mali e priti tek kryqëzimi që të çon te qendra tregtare dhe në momentin që Hekuran Billa futet, i riu akuzohet se ka sinjalizuar atentatorët që dy minuta më pas e ekzekutuan.

Pas arrestimit të Markut dhe Malit, policia ka shpallur në kërkim dhe 3 të tjerë të dyshuar si bashkëpunëtorë. Bëhet fjalë për shoferin e makinës, i cili dyshohet se ka ndihmuar Viktor Markun të largohet nga vendi i krimit dhe dy persona të tjerë që dyshohen si informatorë. Krahas këtyre hetimeve gjithashtu po shoqërohen dhe persona në Shkodër të cilët kanë ndjekur Billën pas kthimit nga Belgjika, 5 ditë para vrasjes. Seanca rifillon këtë të martë në ora 9:45, pasi gjykata ka kërkuar që të vihet në dispozicion të saj procedura e ndalimit e më pas arrestimit të Viktor Markut nga autoritetet malazeze.

https://www.facebook.com/kohajone/videos/298941898135410/

SHKARKO APP