Viktor Orban: Hungaria nuk do të mbështesë sanksione të reja kundër Rusisë

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se shteti i tij nuk mund të mbështesë paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, në formën që janë prezantuar, përfshirë edhe embargon ndaj importeve të naftës së papërpunuar ruse.

Në një intervistë për radion shtetërore hungareze, Orban tha se propozimi i Komisionit Evropian do të përbënte një “bombë bërthamore” të lëshuar mbi ekonominë hungareze, duke shtuar se Hungaria është e gatshme për negociata nëse sheh një propozim të ri, që do t’i përshtatej interesave të Budapestit.

Më 4 maj, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka prezantuar pakon e re të sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

Franca pret konsensus për ndalesën e importeve të naftës ruse
Në propozim përfshihet heqja dorë nga furnizimet me naftën e papërpunuar ruse brenda gjashtë muajsh, ndërkaq nga produktet e rafinuara deri në fund të vitit.

Kjo pako e gjashtë e sanksioneve të bllokut evropian, në mënyrë që të hyjë në fuqi, kërkon miratimin unanim të 27 shteteve të BE-së./REL

SHKARKO APP