Viktor Tushaj: Edi Rama ka rrëshkitur, shqiptarët nuk po shohin dritë jeshile
Pjesë nga intervista e deputetit të LSI-së, Viktor Tushaj për emisionin Aktualitet në Shijak TV
Populli i thjeshtë nuk e ndjen tensionin politik. Populli i thjeshtë përcjell tensionin ekonomik, varfërinë e tejskajshme që kanë sot familjet shqiptare. Sot familjet shqiptare nuk kanë para për të përballuar muajin. Nuk kanë më para që të mbyllin muajin. Kush është me fat arrin që t’i përafrohet fundit të muajit. Kush është me fat që është i punësuar. Opozita e sotme është shumë e bashkuar. Nuk ka ardhur akoma koha që të hidhen në treg emrat e kandidatëve për kryetarët e 61 bashkive. Ne nuk bëjmë propagandë. E rëndësishme është sot të shkojmë në themel të problemeve. Të problemeve të cilët shqetësojnë sot popullin shqiptar. E kam thënë edhe herë tjetër në intervistë me ju, ne nuk kemi nevojë që të shpikim rrotën. Ne kemi nevojë që të bëjmë një ekonomi të thjeshtë për familjet shqiptare. Një ekonomi të thjeshtë dhe sikur ne ta thjeshtësojmë ekonominë mjaftueshëm që qytetarët shqiptarë të mendojnë që resurset e këtij vendi janë të mjaftueshme për të bërë të mundur që mirëqenia e tyre të ndërtohet në këtë vend, ne kemi bërë maksimumin. Dhe kjo bëhet me një ekonomi të thjeshtë. Nëse ne mendojmë se mund ta bëjmë me koncesione, me PPP-të e famshme të cilët ndërtojnë asgjë tjetër përveç se një grup oligarkësh të cilët shkatërrojnë ekonominë e vendit.
Ai e pranoi vetë që do paguajë 5-10 milionë lekë për PPP-të , por borxhi i fshehur kushedi sa do jetë. Ç’është ky njeri që luan me fatet tona ekonomike dhe taksat tona në mënyrë kaq të shëmtuar?
Unë në fakt nuk e kam menduar kurrë që Edi Rama do të rrëshqiste dhe do të binte në një situatë kaq të rëndë psiko sociale, por edhe vendimmarrëse. Unë jam i bindur që në këtë situatë Edi Ramën e ka çuar mungesa e këshilltarëve të mirë të cilët nuk e lejojnë që të bëjë prova të tilla me ekonominë shqiptare, me politikën, me anën sociale dhe popullin shqiptar. Nuk e kam menduar kurrë që një njeri të bënte prova të tilla rraskapitëse për popullin shqiptar. Të detyrosh familjet të cilat kanë qenë në punë, por nuk shohin asnjë dritë jeshile në fundin e tunelit që të aplikojnë për llotarinë amerikane, që të ikin nga sytë këmbët në Itali, Gjermani, Francë apo Angli. Njerëz që na ndalojnë çdo ditë rrugës që pyesin si i bëhet për të marrë një vizë angleze, një vizë kanadeze apo një vizë amerikane. Është e tmerrshme të dëgjosh njerëz në rrugë që të pyesin ku do t’i çosh fëmijët që të shkollohen. Sepse kanë humbur shpresën se ky vend mund të bëhet. Dhe kjo është vetëm fatkeqësi e këtij raporti që krijoi Edi Ram me stafin e tij, të cilin nuk e pyet dhe e dhunon çdo ditë. Dhe merr vendime të tilla që pas një viti pendohet dhe thotë pastaj që kjo nuk duhet të bëhej.
Që ditën e parë opozita ka denoncuar çdo PPP të Ramës, tani çdo të thotë kjo? Se ky merret me shpifje. Ka shpifur ky, është bërë gabim ajo, se ne si taksapagues paguajmë për PPP-të 5 milion për një firmë, po për të tjerat? Çfarë ka ndodhur me këtë ekonomi?
Nëse kthehemi në kohën kur Parlamentin e drejtonte z. Meta edhe LSI ishte pjesë e koalicionit të qeverisjes, kemi qenë kundër koncesioneve dhe në mënyrë të veçantë kundër koncesioneve që nuk kalojnë në Parlamentit të Shqipërisë. Të japësh me koncesion një të drejtë publike, duhet patjetër të vendosë pronari dhe kush është pronari i Shqipërisë? Pronari i Shqipërisë është Parlamenti dhe Parlamenti duhet të tjetërsojë apo ta japë për t’u zhvilluar. Padyshim që mund të jepen në partneritet me publikun, mund të jepen me koncesion, sepse shteti nuk e ka mundësinë, por duhet të kalojë në filtra të tillë dhe nuk mund të jepen në mënyrë të tillë vetëm për të ndihmuar apo favorizuar disa oligarkë të cilët janë afër Partisë Socialiste, të cilët janë afër Ramës, të cilët i financojnë dhe do ti financojnë fushatat elektorale, të cilët do të ndikojnë në blerjen e zgjedhjeve dhe do të sigurojnë, apo i kanë siguruar, apo mendojnë se do ti sigurojnë pushtetin. Kjo është fatkeqësia e këtij vendi, kur këto koncesione nuk kalojnë nëpër filtrat e duhur, kur këto partneritete përveçse do të ngrenë borxh me dekada popullin shqiptar, çfarë do të bëjë qeveria e ardhshme? Qeveria e ardhshme që do të marrë pushtetin, do të shikojë buxhetin. I gjithë buxheti i saj do të shkojë për të paguar atë ç’ka ka vendosur Rama për koncesionet apo për PPP. Po ky mori Taulant Ballën ti hidhej në grykë Lul Bashës kur tha që unë do të zhbëj PPP dhe oligarkinë që ky i ka krijuar artificialisht. Kjo është arsyeja që edhe ligji, edhe në minibashki kush vendos për një koncesion, për tjetërsimin e pronave, për zhvillimin e një prone publike? Është Këshilli Bashkiak dhe Këshilli Bashkiak është pronari i qytetit apo pronari i Bashkisë, është pronari i pjesës publike në një bashki. Si i tillë është edhe Parlamenti i Shqipërisë. Ti nuk mund të marrësh një vendim dhe të japësh me koncesion një pronë publike për ta zhvilluar, qoftë edhe me të drejtën e Zotit apo për të mirën e popullit shqiptar, nëse nuk kalon filtrin e Parlamentit shqiptar. Duhet ta vendosi Parlamenti. Apo siç ishte ndërtimi i teatrit. Absolutisht të gjithë shqiptarët janë të interesuar të kenë një teatër, aq më tepër artistët që e duan teatrin. Por duhet ta vendosë Këshilli Bashkiak. Ajo pronë është e qytetarëve të Tiranës dhe qytetarët e Tiranës duhet të vendosin për zhvillimin e asaj prone, a do të ndërtohen kullat apo jo. Pastaj vendimet abuzive të çojnë në një amulli të jashtëzakonshme, në humbjen e besimit.
KOHA JONË SONDAZH

