Viktor Tushaj: Kjo mazhorancë ka mision vjedhjen
Deputeti i LSI-së, Viktor Tushaj akuzoi sot qeverinë se me projektin e Teatrit Kombëtar po organizon vjedhjen më të madhe të pasurisë publike. Në fjalimin e mbajtur në Kuvend, Tusha u shpreh se shembja e Teatrit është rrënimi i memories së kryeqyteti dhe vendit.
Fjala e plotë e deputetit, Viktor Tusha:
Kazma e Teatrit qeveritar kërkon rrënimin e një monumenti shumëfish historik, histori kulturore, histori artistike, histori sociale, histori albanologjike, histori politike e gjithë kombit shqiptar. Mjerë ai popull që humb kujtesën historike, shkruante sot një studiues I madh shqiptar. Prandaj ky projektligj është një aferë e pastër korruptive në dëm të interesave publike. Qeveria shqiptare ka vendosur që të heq nga fondi që I takon të gjithë shqiptarëve në qendër të kryeqytetit një pasuri të përbashkët, vetëm për qëllimet e saj financiare. Projektligji është një nga ato skema ku njerëz të pushtetit fitojnë shumë herë më tepër se sa dhe bizneset që do duhet të zbatojnë këto kontrata abuzive. Teatri kombëtar ka shumë vite që ka nevojë për ndërhyrje për sistemim, për shndërrimin e tij në një vend kult, ashtu siç I takon. Por qeveria nuk e ka parë me atë sy. Ajo ka gjithnjë zgjidhjen për të përfituar miliona euro, miraton një skemë dhe paratë vijnë vetë, pavarësisht se po grabitet dhe zvogëlohet me ritme marramendëse prona publike. Tashmë nuk është sekret dhe as e padukshme strategjia e vetme e qeverisë, janë PPP-të, koncensionet për të gjitha pasuritë më të rëndësishme të shqiptarëve. Kjo është mënyra se si kabineti qeveritar synon të sigurojë qarkullimin e parave në vend. Për fatin e keq të kësaj qeverie, qytetarët e kanë kuptuar se plani rilindas për kanabizimin e vendit nuk çoi asgjëkundi. Me kanabizimin, qeveria e tepsisë arriti të krijonte një panoramë të gënjeshtërt se në vend kishte likujditete, por në fakt milionat e eurove të kanabisit u përqendruan në duart e organizatave kriminale, të cilat siç po duket përditë e më shumë kanë lidhje të forta qeveritare. Janë po ato organizata, të cilat në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017 I siguruan pushtetin qeverisë së tepsisë. Janë ato grupe kriminale që po mbajnë në pushtet këtë qeveri, dhe që sot kërkojnë haraçin. Me çfarë do tua shpërblejë qeveria investimin kriminal të bandave? Këtë mund ta bëj me gjithçka ka në dorë dhe po e bën çdo ditë me pasuritë publike të shqiptarëve. Kjo është skema që ka zgjedhur qeveria për zhvillimin ekonomik që në fakt nuk është aspak e tillë për qytetarët. Vetëm për disa pushtetarë dhe oligarkë pranë tyre, të cilët po përjetojnë parajsën fiskale që u ka siguruar qeveria. Natyrisht diskutimet tona, sot këtu, përfshirë edhe kundërshtimet e forta të opozitës do të kthehen në pluhur, siç ka ndodhur në çdo seancë të kësaj legjislature. Mazhoranca e tepsisë me forcën e kartonave do ta vendosë sërish sipas planit të saj. Ajo sot do të vendosë rrënimin e Teatrit Kombëtar dhe hapjen e rrugës për një kompleks kullash, të cilat do të varrosin përfundimisht objektin simbol të kulturës shqiptare.Ajo sot do të vendosë rrënimin e Teatrit Kombëtar dhe hapjen e rrugës për një kompleks kullash të cilat do të varrosin përfundimisht objektin simbol të kulturës shqiptare. Kjo mazhorancë me arrogancën e saj nuk vlerëson asnjë zë alternativ. Opozitën jo e jo, por as ta dhjetëra artistë e qindra intelektualë kanë ngritur zërin kundër projektit mafioz të qeverisë. Nuk dëgjohet as zëri i qytetarëve që iu janë bashkuar kauzës së artistëve. Arsyeja është shumë e thjeshtë. Kjo qeveri nuk e sheh dhe nuk e ka sensin e llogaridhënies. Sot është në pushtet falë votave të blera në zgjedhjet e manipuluara. Qeveria sot nuk i përgjigjet asnjë qytetari pasi nuk ka kontratë me ta. Qeveria i përgjigjet vetëm oligarkëve dhe bandave kriminale të cilat e sollën dhe e mbajnë në pushtet. Kjo qeveri nuk ka frikë as nga ligji. Me të ashtuquajtërën reformë në drejtësi, mazhoranca shkatërroi përfundimisht institucionet e drejtësisë. Sot askush, as opozita, as grupet e interesit nuk mund të kundërshtojnë në rrugë ligjore këtë projektligj, të cilin me forcën e kartonave mazhoranca do e kthejë në ligj. Sot Shqipëria nuk ka gjykatë kushtetuese. Këtë e di shumë mirë edhe qeveria ndaj vepron e pa shqetësuar për shkeljet ligjore. Madje e di aq mirë pasi e përgatiti vetë terrenin që të mungojnë gjykatat që do të kontrollojnë ligjshmërinë e veprimeve të saj. Artistët, opozita dhe qytetarët në një situatë normale do t’i drejtoheshin Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar vullnetin e mbrapshtë qeveritar për prishjen e Teatrit Kombëtar dhe shtrimin e tij në një truall për pazarin e rradhës. Por Gjykata Kushtetuese për fatin e keq të të gjithë shqiptarëve sot nuk ekziston. Qeveria e truket e saj antidemokratike krijoi terrenin që të veprojë e qetë pasi askush nuk mund të verifikojë punën e saj. Mazhoranca në parlament as nuk bëhet fjalë që të ngrejë ndonjë pikëpyetje mbi qëllimet e qeverisë. Përkundrazi shumë kolegë deputetë socialist me integritet detyrohen që të ngrenë kartonat sipas urdhrit të kryeministrit. Nuk ka frikë mazhoranca kur shkel ligjin pasi sot nuk ka prokuror që të guxojë të nisë një hetim ndaj kryeministrit, ministrave apo do zullumqari tjetër që ka në zotërim pushtet. Nëse një prokuror do të merrte iniciativën që të zhvillonte hetim për zyrtarët e qeverisë dhe tepsisë ndaj tij në mënyrë të menjëhershme do të binte hakmarrja kryeministrore nëpërmjet firmës së kryeprokurores së përkohshme. Diskutimi për teatrin kombëtar shkon përtej asaj godine. Është një diskutim që ka të bëjë me thelbin e tij me arrogancën dhe korrupsionin e qeverisë, tepsisë, të bëhen njësh me krimin dhe bandat kriminale. Këto janë ndër arsyet kryesore që Këshilli i Europës as nuk na përfshiu në diskutimin e tij të zhvilluar javën e kaluar. Qeveria nëpërmjet propagandës së saj kishte bindur shqiptarët se viti 2018 do të ishte viti i negociatave, ua shiti sërish për triumph shqiptarëve dështimin e saj dhe shtyrjen për një vit. Diskutimit për hapjen ose jo të bisedimeve për BE. Çfarë tha KE për hapjen e negociatave me BE. Shqipëria duhet të ecë përpara me reformën në drejtësi, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, duhet të sigurojë zgjedhje të lira dhe të tjera kushte që shqiptarët i kanë dëgjuar shpesh vitet e fundit. Praktikisht mesazhi i Brukselit ishte që qeveria shqiptare nuk ka asgje në vijë. E megjithatë nga qeveri e tepsisë nuk ka asnjë reflektim. Për më tepër ditën që duhej të tregonte vullnetin për të forcuar shtetin ligjor në Shqipëri sjell në parlament me procedurë të përshpejtuar ligjin korruptiv për shkatërrimin e Teatrit Kombëtar. Dhe një javë pasi e votoi me kartonat e saj urgjencën e këtij ligji sot e solli për ta votuar. Në pamje të parë duket e pakuptueshme kjo urgjencë. Përse qeverisë i intereson që rrënimi i Teatrit të bëhet me urgjencë?
Çfarë e nxit të miratojë me shpejtësi të gjitha procedurat institucionale dhe parlamentare për ndërtimin e kullave në qendër të Tiranës. Këto janë pyetjet që duhet ti bëjë pyetjes çdo qytetar I cili ka ndjeshëmri për pronën publike dhe për avancimin e Shqipërisë drejt standardeve europiane. Unë si pjesë e opozitës por edhe si qytetar do të votoj kundër këtij projektligji abuziv dhe korruptiv por për fat të keq vota ime dhe e kolegëve të mi nuk do të llogaritet. Ne si opozitë po dëshmojmë sot se jemi në krah të interesit public por qëndrimi ynë nuk do të ndikojë aspak në vendimin e qeverisë së tepsisë për të prishur objektin kult të kulturës shqiptare. Qytetarët shqiptarë janë ndër të paktët qytetarë në botë që nuk e meritojnë qeverinë që kanë
KOHA JONË SONDAZH

