Virusi fut në krizë median, gazetarët shpjegojnë dëmet
Pandemia e Covid-19 po prek thellë edhe ekonomine. Në kushtet e shtetrrethimit kur paraja nuk qarkullon, askush nuk është i interesuar të reklamojë një produkt që nuk shitet. Burimi kryesor i financimit të tyre janë reklamat, të ardhurat për mediat ranë ndjeshëm. Shumë televizione kanë ndërprerë përkohësisht programet argëtuese, kjo pasi sipas urdhrit të qeverisë, nuk lejohet që në studio televizive të ketë më shumë se dy persona. Të gjendur në këto kushte, rreth 6100 gazetarë, redaktorë, operatorë dhe staf mbështetës në mediat e shkruara dhe vizive, rrezikojnë vendin e tyre të punës.
Aleksandra Bogdani, gazetare e BIRN thotë se kriza e pandemisë ka prekur ndjeshëm median, duke nisur nga ajo print dhe tek televizionet. ”Mund të kemi parashikime shumë të zymta për median, të paktën për këtë vit. Ka një iniciativë nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë për t’i bërë propozim Komisionit të Medias, Ministrisë së Ekonomisë dhe qeverisë”.
Zefina Hasani, Drejtoret Komunikimi në “Le Spot Group”, shprehet se është ndjerë një ulje e prurjes së reklamave, pasi një pjesë e bizneseve ose e kanë stopuar ose e kanë shtyrë më pas reklamimin. ”Ka një ulje të ndjeshme të prurjes së reklamave që në dy javët e para. Sipas parashikimeve, opsioni më optimal është të ketë një ulje prej 30%, por mund të shkojë edhe deri në 40-50%. Jemi në një efekt domino, dhe asnjëri nuk e di se si do të shkojë i gjithë zinxhiri. Fakti që ulja është ndjerë që në dy javët e para, imagjinoni se si do të shkojë më tutje. Skenari më i keq, ai që nuk do të duam ta themi, është sigurisht bllokimi i çdo gjëje. Uroj shumë që të mos të ndodhi”.
Erjon Skëndaj, gazetar i “News 24″, duke treguar vështirësitë e raportimeve të përditshme, thotë se gazetarët shihen si “armiq” nga familjarët e të të prekurve. “Familjarë të të afërmeve të prekur që sjellin çdo ditë ushqim në Spitalin Infektiv nuk u janë nënshtruar testeve. Ka persona që nuk kanë as maskë apo që përdorin të njëjtën maskë që e dezifektojnë me alkool”.