Video editorial i “Koha Jonë”: Virusi jashtë kontrollit. Të ndërhyhet para se të shkojmë në mbyllje totale
Pandemia e koronavirusit në Shqipëri është jashtë kontrollit. Ditën e sotme janë regjistruar 90 raste të reja me COCID-19, numri më i lartë që nga nisja e pandemisë 4 muaj më parë. Numri i viktimave ka arritur në 76 dhe gjatë dy javëve të fundit ka pasur mesatarisht 2 viktima në ditë. Shifrat janë alarmante sepse numri i testimeve që kryhen nga institucionet është pothuajse njëlloj sa dhe më parë. Me këto të dhëna nuk flitet më për pikun e virusit apo rritje të kurbës, por për një shpërthim alarmant të pandemisë. Shifrat po rriten çdo ditë dhe nëse në muajt mars-maj qeveria mburrej për numrat e ulet duke thënë se strategjia e saj funksionoi, sot nuk kemi një rrezik në rritje për fajin e investimeve në shëndetësi.
Qytetarët kanë nisur jetën normalisht dhe nuk ka më asnjë masë serioze për mbrojtjen. Spitalet, fasoneritë dhe ambientet me qarkullim të madh të qytetarëve, janë kthyer në qendra më të mëdha të infektimit. Çdo gjë duket se i është lënë në dorë rastësisë dhe nga masat e forta dhe izolimi total, tashmë njerëzit dhe virusi janë lënë të lirë rrugëve.
Strategjia e parë e qeverisë për mbyllje totale me shtetrrethim dhe tanke rezultoi e gabuar. Ndërkohë po kaq e gabuar dhe fatale është lejimi i aktiviteteve në gjithë vendin sikur nuk ka ndodhur asgjë. Gjatë izolimit u ruajt tejmbushja e spitaleve, por u shkatërrua ekonomia dhe qytetarët nuk u informuan si duhet mbi ruajtjen nga virusi. Pas heqjes së shtetrrethimi, të gjithë nisën jetën si më parë.
Nuk po themi se bizneset duhet të mbyllen. Në këtë fazë mbyllja është falimentim i sigurt, por institucionet nuk duhet ta lënë jetën e qytetarëve në dorë të pronarëve të lokalëve. Kushdo që do të kryej aktivitetin duhet të marrë masa strikte sanitare dhe të respektojë distancën. E njëjta gjë duhet të vlejë dhe për bizneset e turizmit, të cilat nëse duan të mbijetojnë duhet të përshtaten me situatën që kalon vendi. Spitalet dhe administrata shtetërore që duhet të ishin modeli i mbrojtës nga koronavirusi po rezultojnë institucionet më të prekura dhe shifrat që vijnë nga infektimet në to janë një kambanë alarmi për masat e munguara të qeverisë.
E vetmja skemë që ka në mendje qeveria është se nëse shifrat kalojnë numrin e shtretërve në spitale vendi do të mbyllet sërish. Kjo është pikërisht ajo që nuk duhet të ndodhë në asnjë mënyrë. Për të frenuar mbylljen duhet ndërhyrë që sot dhe duhet mbajtur nën kontroll virusi. Masat nuk merren më me tanke dhe polici ushtarake. Nuk duhen me as orare ndalim qarkullimi dhe as izolim me urdhër si në kohën e diktaturës. Ajo që duhet bërë sa më parë është vendosja e kontrolleve strikte dhe ndëshkimeve për qytetarët dhe bizneset që thyejnë rregullat. Edhe pse masat dhe gjobat mund të jenë të ashpra, dikush duhet të ndëshkohet që të mos marrë më qafë të tjetër. Sepse mbyllja dhe njëherë e vendit do të ishte falimentim total për të gjithë.
Qeveria duhet të ndërhyjë në Bruksel që vendi të mos izolohet në këtë mënyrë sepse jemi kthyer si në vitet e komunizmit, ku regjimi nuk të lejonte të dilje përtej kufirit kurse sot është Europa qe nuk na lejon të hyjmë në territorin e saj. Izolimi nuk i bën mirë askujt ndaj ndërhyni zotërinj qeveritare sa më shpejt!
Lexoni edhe: