Virusi kinez/Konfirmohet viktima e parë në Europë

Është konfirmuar viktima e parë në Europë si pasojë e koronavirusit. Bëhet fjalë për një 80-vjeçare kineze në Francë e cila ishte nga provinca e Hubei pranë Wuhan. Ministrja franceze e Shëndetësisë, Agnès Buzyn, tha se ajo ka mbërritur në Francë më 16 janar dhe ishte vendosur në karantinë në një spital të Parisit më 25 janar. Më parë, vetëm 3 persona kishin humbur jetën nga koronavirusi jashtë Kinës, në Hong Kong, Filipine dhe Japoni.

Më shumë se 67 mijë persona në të gjithë botën raportohet të jenë të infektuar nga koronavirusi, pjesë dërrmuese e tyre në Kinë. Numri i viktimave është rritur në të paktën 1527. Shifrat vazhdojnë të rriten ndërsa Kina raportoi një ditë më parë se 1700 mjekë janë gjithashtu të infektuar nga virusi, pasi janë kujdesur për pacientë të sëmurë, prej tyre 6 kanë humbur jetën.

Rritja e madhe e numrit të të infektuarve dhe viktimave ka ardhur për shkak të mënyrës së si Kina ka vendosur të klasifikojë rastet me virusin Covid-19. Shifra totale tashmë do të përfshijë edhe personat që shfaqin simptoma, por nuk janë testuar ende, ose që mendohet se gabimisht u ka dalë negativ rezultati i testit.

Një mision me ekspertë të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë do të mbërrijë në Kinë këtë fundjavë, për të vendosur bashkë me ekspertët kinezë hapat e ardhshëm që duhen ndërmarrë në Kinë dhe në botë për të frenuar përhapjen e virusit. Drejtori i OBSH, Tedros Adhanom, tha të premten se ekspertët do të qëndrojnë për aq kohë sa do të jetë nevoja.

SHKARKO APP