Virusi kinez prek Italinë, Porti i Durrësit shton kontrollet

Pas vdekjes së dy personave në Itali të infektuar me koronavirus, Porti i Durrësit ka shtuar masat për kontroll. Mësohet se është rritur gatishmëria për kontrollin e pasagjereve dhe marinarëve të huaj. Vetëm këtë fundjavë me 2 tragetet e Barit kanë hyrë në Shqipëri rreth 446 pasagjere. Sipas mjekut përgjegjës te karantinës së portit, Indrit Kalaja, ndaj tyre është ushtruar kontroll dhe kanë rezultuar pa probleme shëndetësore dhe nuk ka pasur me origjine nga vatrat e infektuara. Po ashtu po mbahen nën vëzhgim edhe marinarët e mjeteve detare tregtare, të cilët nuk vijnë nga portet kineze.

Deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon se janë marrë masat në Spitalin Infektiv në QSUT, me dhomat e izolimit të cilat janë pajisura me mjetet përkatëse: aparatet respiratore të monitorimit, sistemin e gazrave mjekësor, si dhe mjetet personale mbrojtëse.

Edhe pse rreziku mbetet i ulët, MSHMS-ja po forcon masat paraprake. Janë marrë masat në Institutin e Shëndetit Publik për furnizimin me kite reagentë për kryerjen e analizës së koronaviruseve. Është mundësuar që testimi për koronavirus të kryhet në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, thuhet se më shumë se 200 mjekë, infermiere dhe epidemiologë janë trajnuar në zbatim të masave që plani i veprimit përcakton. Po ashtu, është menduar organizimi i karantinës, nëse do të jetë e nevojshme.

SHKARKO APP