Virusi kinez/Shkon në 7 numri i viktimave në Itali. Conte: Epidemia u përhap pasi një spital nuk ndoqi protokollet
Ka shkuar në shtatë numri i të vdekurëve nga virusi kinez në Itali. 173 raste dhe 6 viktima në Lombardi; 33 raste dhe një vdekje në Veneto; 18 raste në Emilia Romagna, 3 në Piemonte dhe Lazio, një në Tirolin e Jugut dhe një në Siçili. Masat e aktivizuara nga autoritetet përfshijnë mbi 50 mijë njerëz në 11 bashki në Itali në rajonin verior, që janë në gjendje karantine, ku janë pezulluare eventet publike dhe shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 1 javë. Kryeministri Conte është shprehur se shpërthimi i virusit në Itali ka ardhur sepse një spital nuk ka ndjekur protokollet e parashikuara duke sjellë epideminë.
Viktima e 6-të u shënua në Brescia dhe është një grua nga Crema, e cila rezultoi pozitive dhe vdiq në Spitalin Civil të Brescia, ku ajo ishte transferuar të dielën. Viktima e pestë është një 88-vjeçar në Lombardi, i cili ka ndërruar jetë në spital. Viktima e katërt ishte në Bergamo, ndërsa i treti në Lombardi, që është edhe rajoni me numrin më të lartë të të infektuarve në Itali. Emergjenca e koronavirusit në Itali vazhdon të jetë shqetësuese teksa numri i personave të konstatuar të infektuar ka shkuar mbi 231.
Nga e shtuna në mbrëmje qeveria italiane miratoi një dekret për izolimin e vendeve prej ku shpërthyen rastet e të infektuarve. Për momentin nuk është e mundur të futesh apo dalësh në 11 komuna në rajonin Veneto dhe rreth 50 mijë banorë po mbahen të bllokuar. Zonat e izoluara po menaxhohen nga policia dhe, nëse është e nevojshme, edhe nga ushtria me sanksione penale për ata që shkelin aktet e dekretit.
Ajo që shqetëson OBSH për situatën italiane të koronavirusit është se jo të gjitha rastet e regjistruara të infektuar duket se kanë një histori të qartë epidemiologjike, domethënë një lidhje me udhëtimin në Kinë ose kontakte me raste të tjera të konfirmuara tashmë. Lombardia, Liguria, Emiglia Romagna, Friuli Venezia Giulia, Piemonte dhe Veneto janë në gjendje karantine ku janë pezulluare eventet publike, shkollat do të qëndrojnë të mbyllura për të paktën 1 javë. Nga dje janë pezulluar edhe ndeshje të Seria A të cilat më tutje mendohet të zhvillohen pa praninë e spektatorëve. Italia renditet si vendi i tretë me numër rastesh, pas Kinës dhe Koresë së Jugut, ndërsa i prekur është edhe Irani, ku janë konfirmuar 43 raste, tetë prej të cilëve kanë humbur jetën.