Virusi kinez/ Zv/ministrja e Shëndetësisë: Ruhuni më shumë nga gripi

Zv/ministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli, e ftuar në A2, theksoi në lidhje me koronavirusin se Shqipëria është “vend me rrezikshmëri shumë të ulët, edhe për faktin se nuk kemi fluturime direkte me Kinën”.

“Në Itali ka pasur vetëm dy raste dhe kanë qenë të dy turistë kinezë. Rreziku është i ulët, megjithatë ne si ministri kemi marrë masat që të minimizojmë efektet e këtij virusi. Ky virus është njësoj si gripi dhe ne duhet të marrim masat edhe vetë: të lajmë duart shpesh dhe të teshtijmë në kartëpecetë, jo në dorë”, deklaroi Rakacolli.

Zv/ministrja shtoi se pavarësisht rrezikut të ulët, “është ngritur një “Task-Force” për të parandaluar ardhjen e virusit dhe përballjen nëse do të kemi ndonjë rast me koronavirus”. Kur u pyet se si mund të dallohen shenjat e koronavirusit, Rakacolli shpjegoi: “Shenjat e gripit dhe koronavirusit janë të njëjta, vetëm analizat mund ta nxjerrin faktin nëse je apo jo i prekur me koronavirus”.

Rakacolli u bëri thirrje shqiptarëve që të ruhen më shumë nga gripi sepse “atë kemi problem aktualisht në Shqipëri”.

SHKARKO APP