Virusi lindi në një laborator? “Mail on Sunday”: Stafi u spërkat me gjak

Si lindi dhe pse u përhap Covid-19 e që sot u bë pandemi, ende nuk ka një përgjigje zyrtare që të mos lërë pikëpyetje. Mediet në Britani i janë rikthyer Wuhanit në Kinë, aty ku u shfaq virusi. Sipas “Mail on Sunday”, zyrtarët thojnë se pandemia mund të jetë shkaktuar vërtet nga një incident në një laborator kinez. “Ekuilibri i këshillave shkencore vazhdon të mbështesë idenë se virusi vdekjeprurës kaloi për herë të parë te njerëzit nga një treg i kafshëve të gjalla në Wuhan, nuk përjashtohet më plotësisht ideja se virusi mund të ketë dalë nga një laborator kinez”.

Një anëtar i Cobra-s, komitetit të emergjencës së drejtuar nga vetë kryeministri Boris Johnson, tha se ndërsa të dhënat e shërbimeve inteligjente nuk e hedhin poshtë faktin që virusi është “zoonotik” me origjinë nga kafshët, nuk hidhet poshtë edhe mundësia që ai të jetë përhapur pas daljes nga një laborator në Wuhan. Anëtari i Cobra-s tha edhe se “ekziston një pamje alternative e besueshme për teorinë zoonotike bazuar në natyrën e virusit”.

Nga ana tjetër, kjo media shkruan se Wuhani është shtëpi e Institutit të Virologjisë, laboratori më i përparuar i llojit të tij në Kinën kontinentale. Instituti 30 milionë paundësh, gjendet 16 kilometra larg tregut të kafshëve të egra që besohet të këtë qenë burimi i sëmundjes.

Misteri i “pacientit zero”

Personi i parë që u testua pozitiv, thuhet se është nga një treg ushqimor në Wuhan. Një grua që shiste karkaleca të gjalla, sipas një dokumenti të publikuar në median kineze. Duke menduar se ishte gripi sezonal, ajo shkoi në një klinikë të vogël dhe të mbushur me njerëz aty pranë për të kërkuar këshilla mjekësore por injeksionet që i sugjeroi mjeku, nuk e shëruan.

Sipas “The Wall Street Journal” ajo është 57-vjeç dhe emri i saj i plotë është Wei Guixian. “Jam ndjerë pak e lodhur por jo aq e lodhur sa vitet e kaluara. Çdo dimër, gjithmonë vuaj nga gripi. Kështu që unë mendova se ishte gripi”.

Më 16 dhjetor, ajo u drejtua në një nga spitalet më të mëdha të qytetit, Spitali Union Wuhan, për një kontroll të duhur. Atje një doktor e përshkroi sëmundjen e saj si “tepër të egër” dhe i tha që disa njerëz të tjerë nga Wuhan kishin ardhur tashmë me simptoma të ngjashme. Identiteti i të sëmurit të parë Covid-19, i njohur si “pacienti zero”, mbetet një mister në Kinë. Pandemia deri më tani ka vrarë më shumë se 22,000 njerëz dhe ka infektuar mbi 486,000 në të gjithë botën.

SHKARKO APP